Islami filloi si një lëvizje fetare në një kohë dhe vend të caktuar në histori, më vonë synoi për t'u bërë një perandori dhe pastaj një forcë e madhe kulturore. Prodhimi i arkitekturës islame ka një identitet dhe stil të veçantë, të cilin sytë s’mund ta mohojnë për shkak të bukurisë projektuese të tij, elementëve unikë arkitektonike dhe zbukurimeve. Arkitektura Islame është e zbukuruar me elegancë, është komlekse dhe vizualisht mahnitëse në çdo mënyrë. Historiani Britanik i cili u angazhua me studimin e historisë së Islamit mesjetar dhe Azisë shkruan: "Krijimi i një perandorie të madhe arabe që shtrihej nga Spanja deri në Indi, në hapësinën e një shekulli të vetëm është një prej mrekullive më të jashtëzakonshme të historisë".
Arkitektura e botës islame gjatë gjithë historisë së saj adaptoi dhe reagoi ndaj kulturave dhe traditave të ndryshme ekzistuese të objekteve pa dobësuar thelbin shpirtëror, i cili ishte burimi i saj i frymëzimit. Siç është theksuar dhe në shkrimin e mëparshëm, rritja e arkitekturës islame u ndikua kryesisht nga ndërtimet e bëra në Gadishullin Arabik gjatë kohës së Profetit(a.s). Në atë kohë ishin ekzistuese veprat arkitekturore të grekëve, romakëve, bizantinëve dhe persianëve, secili me motivet e tyre. Arkitektët e hershëm muslimanë morën dhe adaptuan format e harqeve nga kultura greko-romake, përshkrimin botanik nga persët, ndërsa format e kupolave nga bizantinët. Përmirësimi i parë i arkitekturës islamike u bë gjatë kalifatit Rashid (632-661 CE), pasuar nga përpunime të mëtejshme gjatë Hilafetit Umajad (661-750 CE). Pas kësaj, rajone të ndryshme filluan të zhvillojnë tradita të ndryshme të arkitekturës, duke reflektuar sinkronizim të natyrshëm mes islamit dhe traditave lokale.
Në botën arabe, tradita arkitektonike ngjasonte me stilet mesjetare. Periudhë e artë dhe e veçantë e arkitekturës islame erdhi nën sundimin Mamluk në Egjipt, ku rrugët e Kajros u bënë një pasqyrim dhe simbol i idealit islam. Devotshmëria e tyre u reflektua në komplekset e mëdha fetare dhe veprat e bukura të artit. Kajro u bë qendra e aktivitetit artistik dhe intelektual. Prandaj dhe Ibn Khaldun do ta përshkruante atë (Kajron), si "qendra e universit dhe kopsht i botës". Mamlukët shfrytëzuan efektet hapësinore ndriçuese në ndërtesat e tyre. Kupolat madhështore, oborret dhe minaret, që u përhapën nëpër Kajron e vjetër ishin një demonstrim i mirë. Shembuj të ngjashëm mund të gjenden në të gjithë qytetet në Afrikën e Veriut.
Në jugperëndim, afrikanët muslimanë adaptuan më shumë elementë të arkitekturës tradicionale së Afrikës se sa elemente arabe. Arkitektura Sahiliane fillimisht u zhvillua në dy qytete, atë të Dienné dhe Timbuktu. Xhamitë në këto dy qytete ishin të ndërtuara nga balta dhe druri. Ndërsa në pjesën lindore të Afrikës (si Somalia dhe Eritrea) mund të vërehen më shumë influencimet arabe. Kjo në sajë të lidhjeve të ngushta tregtare me Gadishullin Arabik. Kjo marrëdhënie ka çuar në një ndikim më të fortë arab, e cila dallohet lehtësisht tek xhamitë në Somali me përdorimin e harqeve dhe niches së arkitekturës arabe.
Në Turqi dhe në vendet ku mbizotëroi perandoria Otomane (përmendim p.sh. Bosnjën dhe Shqipërinë, duke qenë dy kombet tradicionalisht muslimane të Evropës), ndikimi bizantin mbretëroi në mënyrë supreme. Ndikuar dhe nga stili i Shën Sofisë (origjinalisht kishë dhe më vonë u kthye në xhami), xhamitë e Perandorisë Osmane angazhuan të njëjtin stil me kupolë (kube) të përqëndruar në qëndër të objektit me të katër qoshet, ku secila ka nga një minare të hollë. Osmanët zotëruar teknikën e ndërtimit të hapësirave të brendshme të mëdha, të cilat të krijojnë përshtypjen si të pa pesha edhe pse stukturat janë masive, duke krijuar dhe arritur në këtë mënyrë një harmoni të përsosur ndërmjet hapësirave të brendshme dhe të jashtme, si dhe ndërmjet dritës e hijes.
Më tej, në vendet e lindjes, si: Persia, Azerbaijxhani dhe Azia Qendrore, shikohet një përdorim i fortë i ngjyrave të ndritshme, duke mbajtur harmonikisht motivet arabe në arkitekturën e ndërtesave. Në këto vende vërehen modelet e guximshme, ku mjeshtërisht përdoren tjegullat blu e jeshile, dekorimet e pjesës së përparme të xhamive të mëdha, si dhe pikturimi i imazheve të kafshëve tek ndërtesat laike. Arkadet u bënë një tipar standard i ndërtesave të shenjta në këto rajone, të cilat vashdojnë të ekzistojnë e të përdoren edhe sot.
Në Azinë Jugore, arkitektura Islame u ndikua fort nga stilet e mëparshme hinduse. Kupolat me kulm dhe përdorimi i rëndë i mermerit, (me Taxh Mahalin që qëndron si kryevepër e arkitekturës islame indiane), ishin risi veçanërisht të dukshme të Azisë Jugore gjatë Perandorisë Mugale. Për strukturat e mëdha, gur ranor i kuq ishte materiali i preferuar i ndërtimit, ndërsa mermeri ishte material i rezervuar vetëm për më të pasurit.
Më pak të njohura në stilin Islamik janë xhamiat e Kinës, të cilat tentojnë t’u ngjajnë më shumë tempujve budiste sesa xhamive tradicionale. Shpeshherë duke përfshirë dy stile, atë arab dhe kinez, në arkitekturën e faltoreve. Arkitektura islamike kineze shfaq një sinkronizim ndeshës. Megjithatë, edhe kur xhamia i ngjan më shumë një faltoreje tradicionale budiste apo kineze, ajo ende mban elementet delikatë islamikë, të tilla si mihrabi, që ballafaqohet me Mekën ose kaligrafi arabe, si dhe kineze. Ashtu sikurse në Kinë edhe në Azinë Juglindore arkitektura fetare është fuqishëm e ndikuar nga arkitektura paraslamike e rajonit. Kjo përfshin format karakteristike piramidale të tempullit të Java-s, ose stilit si tendë të “Rumah Gadang” në Sumatra, si dhe stilin elegant dhe të ngritur mbi nivelin e tokës të Tajlandës Jugore.
Një zhvillim interesant i arkitekturës islame ka qenë gjatë shekullit të 20-të, me një shkrirje të stilit modern e postmodern me atë tradicional. Arkitektura moderne islame kohët e fundit është sjellë në një nivel të ri me ndërtesat e ngritura si Khalifa Burj në Dubai, aktualisht ndërtesa më e lartë në botë. Pavarësisht nga pamja e saj moderniste, dizajni i saj është i bazuar mbi një lule shkretëtire. Shumë interpretime moderne të arkitekturës islame mund të gjenden në Dubai për shkak të bumit arkitektonik të botës arabe. Ky stil po aplikohet jo vetëm në botën arabe por gjerësisht në të gjithë rajonet ku arkitektuara zhvillohet.
Brunilda Basha
Comments
Post a Comment