Ideja e kthimit
në shtëpi më emocionoi të gjithën. Lumturia e momentit të takimit me të
dashurit e zemrës më mbërtheu shpirtin. Edhe pse ajri ishte i njëjti si cdo ditë,unë
mbushesha me frymë më thellë se përhera. Dielli po ai si pardje, por ngrohte më
ëmbël. Hëna nuk qe pesëmbëdhjetëshe por ndriconte më shumë se kurrë. Era frynte
furishëm por përkëdhelte më ëmbël.
Ashtu sic
derdhen flokët e dëborës lehtë nga lart për të prekur tokën sa më butë, unë po
shkëputesha nga cdo rëndesë graviteti për të mos e ndjerë peshën trupore. Ndihesha
aq e lirë në atë lartësi kilometërshe. Nga kutiza e dritares së xhamit transparent i thoja
mirupafshim qytetit në të cilin shtrihesha cdo natë. Si një fëmijë i ngazëllyer
provoja të prekja me majën e gishtit cdo gradacelë të cilat deri dje më duhet të
ngrija sytë lart për ti përshkruar vinin e bëheshin sa më mikroskopike. Fluturoj mbi zhurmën e ngacmuese së tokës e cila po
i linte vendin bukurisë së heshtur së qiellit. Kërcej mbi shtëllungat e bardha
te reve, të cilat herë më ngjasojnë me pambuk sheqeri e herë me jastëk të butë
në të cilat dua të shtrihem. Diku nëpër të carat e tyre shikoj maja malesh, shkëmbinj
të zhveshur, oqeane të pafundshëm, fusha që ngjasojnë me një cërcaf të formuar
nga copa me nuanca jeshileje të qepura njëra me tjetrën, sikur arna.
Dielli me rrezet e tij më përshëndeste nga larg. Ul dritaren e avjonit pasi
drita që penetronte me pengoi mendimet që doja ti mblidhja sy mbyllurazi.
Pa e kuptuar, përhumbem në kujtime e përjetime të cilat shpesh trazohen nga
turbulencat dhe sinjali që duhet të vendosim rripin e sigurimit. Në atë moment tronditjeje
u ndjeva aq e pafuqishme përballë fuqisë së Krijuesit. Duke lartësuar Zotin me
mendje, ndjej një shtrëngim dore që më thotë: “Unë jam
këtu,” një strukje akoma më të fortë në kraharor të ëngjëllit tim, e cila
si trumcak i vogël më përcjell nëpërmjet qerpikëve të mbyllur sigurinë në krahët
e mi. Shoh dhe ndjej kaq dashuri rreth e rrotull që na jep jetë dita ditës.
Diku më larg janë
dy të rinj që bisedojnë me njëri tjetrin dhe qeshin, kushedi për cfarë,
ama dallohet lehtshëm dashuria që ndajnë. Në krah timin, një nënë e
moshuar s’mund të hapë dot ushqimin e paketuar të servirur në avion. Pasi e
ndihmojmë, na jep paninen e saj edhe pse insistuam që s’kishte pse. Sytë
e saj përcillnin kaq dhembshuri dhe mirënjohje. Tek hapësira midis ulëseve
dëshmova përkujdesjen teksa një grua rreth të 40-tave mbulonte me kujdes bashkëshortin
të cilin e kish zënë gjumi mbështetur kokën në sup të sajin. Një djalë 5 vjecar
vrapon plot energji nëpër korridor të aeroplanit, ndërsa stjuardesa i shërben
një gotë me ujë një zotërie para nesh.
Ngre lart grilën e dritares e
mundohem të shoh përmes natës katran të zi. Ashtu pa zhurmë po i afrohemi sërish
tokës të cilës deri para disa minutash besova se i pata dhënë lamtumirën.
C’hijeshi teksa zbarkojmë nga lartësia e qiellit në drejtim të dritave të
cilat kanë mbuluar Tiranën time. Pa e kuptuar, sytë vishen me një perde loti, i
cili shkëputet pa frikë për të notuar nëpër faqe. Zemra godet pa pushim, a thua
se donte të dilte nga trupi. Malli,
malli është ai që dëshmon më së shumti cfarë zemrës i mungon cdo ditë. Sa
shpejt kaluan 10 orë udhëtim. Sa shumë copëza jetësh të përjetuara brenda një
avioni. Ne shikojmë vetë jetën plot bukuri në cdo sekond, mjafton të hapim sytë
dhe të lemë të lirë zemrën të lumturojë.
Me duart e
drejtuara nga qielli falenderuam Krijuesin që mbërritëm në destinacion të
sigurtë.
Kur udhëtoj, më
kujtoni të marr një laps e një letër.
Comments
Post a Comment