Femra dhe mashkulli në çdo periudhë kohore kanë patur pozicionet e tyre përkatëse, dhe aspak të njëllojta. Duke filluar nga Egjipti i Lashtë, e duke vazhduar me Greqinë e Vjetër, shoqëria ideale për të dyja gjinitë nuk ka ekzistuar. Platoni u mundua të zbatonte në shoqëri sistemin e tij utopik, por pa rezultat. Fatkeqësisht, debati midis gjinisë nuk ka të sosur. Ditët e sotme, jo rrallëherë ne femrat duhet të flasim për veten, rolin tonë në shoqëri, familje, kompani apo gjetkë. Ndonëse në shekullin e 21-të, realiteti dëshmon se akoma mbizotëron bota e Meshkujve. It’s a man’s World! (Eshtë botë e burrave!) - tha Zaha Hadid, arkitektja që preku majat e arkitekturës duke u kthyer në ikonën femërore që theu tabutë. Të njëjtën gjë pohon dhe Ana Maria Slaughter. Pas një karriere të gjatë dhe sukseseve të njëpasnjëshme, ajo kuptoi se femra nuk mund t’i ketë të gjitha, (të paktën) akoma jo. Me të drejtë, argumentonte se arsyeja pse një femër s’mund të ketë çdo gjë në këtë jetë, mbështetet në vështirësinë për të arritur një ekuilibër midis jetës personale, familjes dhe karrierës. Kjo, jo për shkak të paaftësisë së saj, por sepse sistemi në të cilin rrotullohet çdo gjë është ndërtuar mbi një model që e disfavorizon femrën dhe e detyron atë të bëjë kompromise të vazhdueshme duke sakrifikuar midis familjes dhe punës.
Pra, ne femrat nuk kemi hapësirën për të planifikuar itinerarin e aktiviteteve sipas prioriteteve dhe përgjegjësive tona. Nuk kemi fleksibilitetin e orarit, të ditëve apo vendit. Dhe ne përpiqemi t’i përshtatemi këtij sistemi me të gjitha mënyrat e mundshme, në përpjekjen tonë për të mbijetuar në një kohë materialiste, po aq edhe karrieriste, ku përqendrimi fokusohet në produktin e GDV-së (Gross Development Index) ose “Profit Return”(kthimi i profitit). Femra, kjo qenieje kaq sublime, të cilën Zoti e krijoi sa krijesë të brishtë, aq të aftë e të fortë, sa profesionale aq edhe familjare, çdo ditë i duhet të mbijetojë në stuhinë e ashpër të tregut. Gruaja e ditëve të sotme duhet të dëshmojë çdo ditë se është intelektualja e aftë, bashkëshortja e dedikuar, nëna e dhembshur, bija dhe familjarja e kujdesshme.
Kështu, ne kemi përfunduar në një fushëbetejë duke luftuar ashpër për pozicionin tonë. Shumë mund ta etiketojnë në emër të feminizmit, të barazisë e të drejtave, me një pikësynim: Të jemi baraz me mashkullin, të kemi dhe ne pozicionin tonë njësoj me ta. Tashmë bota mashkullore është kthyer në pikë reference. Boshti në të cilin ecim, propagandojmë e përpiqemi, është i drejtuar kah tij.
Le të ndalemi veç për një çast e të pyesim veten: Për çfarë luftojmë kaq shumë? Me çfarë parametrash po e matim rolin që ne duhet të kemi në shoqëri? Mos duhet të fokusohemi vetëm te reputacioni, titujt e fituar apo posti udhëheqës? Pasi ajo ç’ka shumë po synojmë lidhet kryesisht me pozicionin vendimmarrës në politikë, shoqëri, institucione të ndryshme (famë-pushtet-lidership).Për hir të së vërtëtës, unë jam një nga ato që e mbështet fort këtë nismë, por a është kjo mënyra e duhur për të arritur pozicionin që një femër duhet të ketë? Duke i dhënë përparësi profesionit/karrierës para familjes? Tashmë, fakti se puna zë rolin më të madh në jetët tona, nuk është më çështje vetëm e vendeve të zhvilluara, por është kthyer në një problem global. Por, ajo ç’ka është shqetësuese më së shumti, lidhet me ne vetë, me qëllimin në vetvete, me mënyrën e perceptimit se ne, bota femërore e shtypur, duhet të luftojmë kundër asaj maskiliste, se ne duhet t’i provojmë botës se jemi po aq të afta sa gjinia e kundërt. Deri diku është edhe e çuditshme. Pse mundohemi kaq shumë të krahasohemi ndërmjet njëri-tjetrit, të konkurojmë se cili qëndron më lart? Një shoqëri e suksesshme nuk ka pse ndalet në gjetjen e dallimeve midis qenieve njerëzore.
Jemi ne vetë që bëjmë dallime, që futemi në garë e që lakmojmë atë ç’ka ka tjetri. Ndihemi inferiore
karshi meshkujve, pasi NE e kemi harruar dashurinë e Zotit për gruan. Zoti e deshi aq shumë
Aishen (r.a), saqë zbriti ajetkuranor vetëm për të larguar shpifjet që i ishin adresuar asaj.
Zoti e ka ngritur aq lart femrën, aq sa Xhenneti është nën këmbët e nënës.
Zoti i besoi aq shumë femrës, saqë i dhuroi privilegjin e sjelljes në jetë të filizave që mbartin
vazhdimësinë e jetës.
Një histori që ka lënë gjurmë të thella në botëkuptimin tim mbi pozicionin e gjithsecilit në këtë jetë, lidhet me Ummu Selemen, e cila e pyeti Profetin (a.s): “O Profet, pse vetëm burrat e kanë për detyrë luftën, dhe ata marrin shpërblimin e Shehidit (pra, shkojnë në Xhenet), ndërsa ne gratë jo?” Dhe pikërisht për këtë arsye, për të sqarur dhe qetësuar femrën, Zoti i Gjithëdijshëm zbriti ajetin Kuranor: “Dhe mos i lakmoni ato gjëra me të cilat Allahu i ka dalluar disa prej jush mbi të tjerët. Meshkujt do kenë pjesë nga ajo që kanë punuar, po ashtu dhe femrat do kenë pjesë nga ajo që kanë punuar.”Pra, axhenda jonë nuk duhet kurrsesi të jetë të fitojmë pozitë njësoj si meshkujt. Ne duhet të jemi
të vetëdijshme rreth rolit tonë në këtë jetë, përgjegjësive themelore tonat, të mos braktisim
natyrshmërinë e të qënit femër.
Për më tepër, ne muslimanët nuk duhet të jemi individualistë.
Egoizmi për të arritur vetëm mirëqenien tonë nuk duhet të jetë pjesë e jona. Ne nuk besojmë në determinizëm biologjik dhe aq
më tepër nuk duhet të jemi të shqetësuar nga kufizimet gjinore. Qëllimi i krijimit tonë nuk është të konkurojmë
apo të sundojmë në rang gjinor, por të plotësojmë njëri-tjetrin. Shkrimi mund te gjendet dhe ne revisten Familja Qershor 20016
https://issuu.com/revistafamilja-familymagazine/docs/revista_familja_qershor_2016/c/smswr2p
Comments
Post a Comment