Propozimi me i fundit per sheshin Skenderbej.
Historia e qendrës së Tiranës është kthyer tashmë në legjendë urbane. Aq shumë propozime janë prezantuar përballë publikut, aq studio janë përfshirë aq sa mandate bashkie janë ndërruar. Dhe këto ditë pamë propozimin më të fundit. Nuk e di nëse ky projekti i qe dhënë studentëve të vitit të dytë apo të tretë për të testuar aftësitë e tyre apo vërtet ekspertë të urbanistikës kanë punuar për të nxjerrë në dritë atë ç’ka i nevojitet vërtet një qendre të një kryeqyteti.
Projekti u prezantuar tashmë. Sigurisht jep një mesazh bashkimi, bashkëjetese, uniteti kombëtar në filozofinë e tij, por që për mendimin tim kjo filozofi nuk është përkthyer plotësisht në kontektsin arkitekturor.
A tregon mbjellja e 200 drurëve, apo dhe 2 milion drurëve nga e tërë Shqipëria unitet?!
Jo. Me falni, por unë si këmbësor në atë shesh, dhe që e kam humbur fjalimin e kryeministrit mbi këtë detaj, nga ta kuptoj se nga vjen pema dhe shkurrja?! Ajo ç’ka mua më nevojitet është të kuptoj mirëqenien që më jep ajo hapësirë si këmbësor, si turist, si një pushues që do të sodisë qendrën, si një punëtor i cili duhet të kalojë permes sheshit për të arritur në anën tjetër të qytetit. Pra, me pak fjalë i tërë konstrukti i projektit konsiston në një propagandë verbale e cila në thelb është e duhura, por që nuk ka arritur akoma në fazën ku do mund të realizohej në mënyrë konkrete nëpërmjet elementëve fizike si rruga, trotuari, sheshi, lidhjet, shatërvani, hijet, uleset,aktivitet, etj.
Megjithatë, nuk është kurrë vonë. Sapo lexova lajmërimin se bashkia e Tiranës po organizon një diskutim të hapur me profesionistë, qytetarë dhe student, pikërisht mbi planin e përgjithshëm të Tiranës. Kjo deshirë e mirë e autoriteteve për të përfshirë opinionin publik me gëzon pa masë.
Ekzistojnë disa principe themelore që një hapësirë e sukseshme publike duhet të posedojë dhe të tilla duhen pasur parasysh edhe në projektin e sheshit.
- Konteksti fizik: ndërlidhja me ndërtesat, rrugët e afërta.
- Klima e atij vendi (dielli-hijet-era-shiu)
- Historiku që mbart në vetvete për dekada
- Përdoruesit e asaj hapësire.
Kjo e fundit lidhet drejtpërdrejtë me ne, publikun, qytetarin dhe me aktivitetet në atë hapësirë; siguria, komforti, pikat qendrore, pamjet estetike etj.; t’i përgjigjesh të gjitha grupmoshave, dhe jo vetëm një grupmoshe e cila është e vetmja që di të përdorë biçikletën e të patinojë.
Kualiteti i lëvizjes dhe qarkullimit
Qasja dhe lidhjet janë thelbësore për suksesin e një hapësire publike. Drejtimi fizik ashtu dhe vizual, duhet të jetë i qartë dhe të ofrohet nga të gjitha parametrat. Në projektin e prezantuar nuk kishte as dhe një rrugë të vetme, as dhe drejtim vizual të cilin këmbësori ta perdorë për të arritur në destinacionin e dëshiruar. Përkundrazi, homogjenia e materialit të prezantuar krijon një konfuzion dhe një parregullsi qarkullimi.
Hierarkia dhe cilësia e hapësirës
Çdo student i Arkitekturës, që në fillimet e tij përballet me konceptin e formës, hapësirës dhe rendit. Këtu hyn dhe e ashtquajtura hierarki. Parimi i hierarkisë nënkupton se në shumicën e kompozime arkitekturore, ekziston dallim real mes formave dhe hapësirave të krijuara. Këto ndryshime pasqyrojnë shkallën e rëndësisë së këtyre hapësirave, qoftë funksionale, formale apo dhe simbolike. Projekti i propozuar nuk ka asnjë pikë qendrore, asnjë dallim mes hapësirës, asnjë diversitet në shkallën e rendësisë. Ndoshta qëllimi i atij projektimi ka qenë njëshmëria e çdokujt me hapësirën, por kjo mund të bëhet në një park specifik tek i cili thjesht shpenzon disa çaste për relaksim, jo në një qendër qyteti e cila është tmerrësisht e rendësishme për lëvizjen urbane.
Pikat e shikimit (vieës & vistas)
Hapësirat e suksesshme publike duhet të krijojnë interes vizual, e cila do tërheqë njerëzit. Kjo mund të arrihet nëpërmjet materialeve të ndertimit, pamjeve, boshteve (axis) vizuale, për të dhënë një imazh të vlerës dhe qendrueshmërisë. Pylli i improvizuar me pemë rreth e qark duke krijuar një ishull trotuari në mes nuk bën gjë tjetër veçse krijon një hapësirë izoluese, e cila bllokon të tëra pamjet kundrejt pjesës rrethuese të qendrës.
Pejsazhi i qetë dhe peisazhi i egër (soft dhe hardscape)
Elementët e buta, si bimët dhe pemët, në kombinim me elementët e ujit dhe gurit janë të domosdoshme në zhvillimin e një hapësire. Në sheshin e prezantuar kemi një ndarje të këtyre dy elementëve (pemë të dendura rreth parkut dhe ne mes elementin ujë/gur) në një kohë kur duhet shkrirja dhe thyerja e tyre për dy arsye: Funkionaliteti, për të shërbyer në krijimin e hijeve, freskisë, dhe sigurisht arsyeja estetike. Në këtë kategori rol të rendësishëm kanë dhe ulëset. Mundësitë e stolave dhe trungjeve, larmishmëria e zgjedhjes së uljes (të ulët apo të lart; formale ose joformale; e izoluar ose në funksion; në grupe ose teke; në diell apo në hije) s’bën gjë tjetër veçse fton pjesmarrje sa më të gjerë të publikut.
Aktivitetet
Një hapësirë e sukseshme duhet të ketë elemente dhe aktivitete që i tërheqin njerëzit për të qenë atje për një arsye të caktuar, të rinj dhe të vjetër, vetëm apo në grupe, burra dhe gra, ulur ose duke shëtitur, duke ngrënë apo duke folur, të ulur nën hijen e pemës ose në lëvizje.
Pra në përfundim, nëse dikush është mahnitur nga shatërvanët e mrekullueshëm, thjesht le të mendojë se në muajt e nxehtë të verës i tërë sheshi i cili s’ka gjë tjetër veç shatërvanëve, do të jetë bosh. Ndërsa në muajt e acartë të dimrit shatërvanet ose do jenë të fikur totalisht, ose në të kundërt njerëzit do largohen nxitimthi nga frika mos spërkaten nga uji i akullt. Nëse do të konkretizohet një ditë, shpresoj që ekspertet të mendojnë seriozisht për një planimetri të mirëfilltë të atij katrori të madh plot me shatërvane./tesheshi.com/
http://tesheshi.com/analize-sheshi-serish-ai-skenderbej-ne-tirane/
Comments
Post a Comment