“Mos i rezisto atij që është i lig; por atij që të jep një
shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën” (Mateu 5:39) Ky verset në Bibël
më ka shtyrë të hulumtoj mbi urtësine e kësaj fjalie. Jo pak herë kjo
thënie përdoret si “shuplakë” ndaj fesë Islame, e cila sipas disave (të cilët kanë pak njohuri mbi të ose qëllimisht mundohen ta nxjerrin sa më të
dhunshme) nuk është aq e dhimbshme apo humane sa feja e Krishterë.
Islami promovon sy për sy, e dhëmb për dhëmb. Në Islam nuk ka shtypje, por
nëqoftëse të godet, godite. Nga ana tjetër dhe ne, muslimanët të gjendur
jo rrallë herë përballë padrejtësive apo dhunës të Islamofobëve dëshirojmë
tu'a kthejmë në të njëjtën monedhë. Madje nuk hezitojmë të shprehemi
verbalisht se: “Këta lloj njerëzish vetëm me dhunë marrin vesh, s’dinë
ndryshe.” Ky është realiteti. Ndonëse nuk e kemi vendosur kurrë në
praktikë në mendjet tona mund ta kemi rrokullisur si ide shumë e shumë herë.
Personalisht (duke ju rikthyer citatit biblik) asnjëherë
nuk kam qenë dakort me interpretimin që shumë vetë i jepnin thënies “nëse të gjuajnë në një faqe ktheji tjetrën”, pasi nuk është
e llogjikshme të lejosh të keqen të të mposhtë apo të bëhesh palë me të, aq më
tepër të lejosh keqtrajtimin; së pari të vetvetes, dhe së dyti të këshillosh
tjetrin të pranojë dhunën dhe keqtrajtimin. E pakta që mund të bejmë ndaj së
keqes është përpjekja për ta ndalur atë. Duke mos e njohur Kuranin
plotësisht dhe të di të gjitha ajetet e shkruara apo arsyet e shpalljes së
tyre, përher kam besuar se ka një përgjigje, por thjesht unë akoma nuk e kisha
kuptuar. Për më tepër, padyshim feja më e paqtë, feja e cila buron nga
Zoti dhe vazhdon të jetë origjinale nuk mund të promovojë dhunë, as padrejtësi,
por mëshirë, humanizëm, mirësi. Kjo thënie më brente përbrenda gjatë gjithë
kohës dhe vazhdimisht i thoja vetes se
Kurani , i cili është shërim i cdo plage sociale, ka një zgjidhje dhe për këtë
problem. Kështu një ditë duke lexuar
Kuranin shqip hasa në një ajet. Ky verset ishte MADHËSHTOR. Ishte moral mbi
morale, ishte celësi i pikëpyetjeve të mia përgjatë tërë asaj kohe. Ai verset i
dha përgjigje shumë situatave e peripecive të përjetuara nga unë personalisht
me njerëz të shumtë të cilët në një farë mënyre apo tjetër ishin munduar të më
ulnin. Në atë moment kuptova urtësinë se si ne njerëzit duhet të sillemi dhe
ndërveprojmë me njëri tjetrin. Sa gabim që ne, muslimanët, kemi harruar
Profetin tonë Muhamed (a.s) të cilin Zoti e urdhëroi: “Të keqen ktheje
me të mirë, e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëher Mik i ngushtë” (Fussilet,
34) Pra, mos hesht, mos e prano gjendjen aktuale, Por: Ktheje me të mirë!
Më vërviteshin imazhe situatash, ndër to; Një ditë teksa ecja në
trotuarin e rrugës së Elbasanit në Tiranë një zotëri më zgjat një fletushkë.
Një shitës ambulant në rrugë i thotë: “C’ia jep asaj? Këto nuk dinë shkrim e
këndim (mendoj se u nis nga veshja ime,
me mbulesën Islame) !” U preka shpirtërisht ama nuk reagova vecse më një
buzeqeshje të lehtë. Në atë cast i afrohem dhe i them: “Zotëri ju lutem një
pako facoleta”. Pagova dhe nuk pranova t’i marr as kusurin. Teksa largohesha
zotëria hallexhi më flet akoma duke thënë: “Shumë faleminderit, të ruajt Zoti o
goc. Më fal, më fal se bëra shaka!” As nuk e di qëllimin pse zotëria u
mundua të më poshëronte në fillim, por, pak rëndësi ka. Ajo që mbeti në fund të
asaj ndodhie disa minutëshe ishin fjalët e tij duke më dhënë uratën dhe
buzëqeshja ime. Kjo është bukuria e fesë sonë.
Por, a po e zbatojmë ne këtë urdhër Hyjnor në ditët ku jetojmë? A jemi
aq të fortë sa të ruajmë ekuilibrin në këtë kohë kaq të padrejtë, ku sunduesi
triumfon mbi të shtypurin, i rremi mbi të vërtetin, fajtori mbi të drejtin? A
posedojmë urtësinë të ruajmë të folurin tonë, sjelljen, të ecurin e shumë
veprime të përditshme sic dhe Kurani urdhëron? A jemi ne të mëshirshëm me
familjen, me miqtë, me të panjohurit, dhe për më tepër me armiqtë? Profeti a.s
këshilloi bashkëshorten e Tij Aishen r.a. “Ji e mëshirshme” e
dhimbshur, pasi butësia na ngren lart, ndërsa ashpërsia na fundos; ne të parëve
dhe të tjerët më pas.
Fatkeqësisht, ne jemi shndërruar në produkt të ambjentit në të cilin jetojmë,
dhe pa e kuptuar herë jemi ironik, herë shakator, herë tallës, herë agresiv.
Ibn Xheuzij r.a. do thoshte: “Ku ka mëshirë atje do gjeni Islamin.” Por
a ka mëshirë, urtësi në komunikimin tonë, sidomos atë në rrjetët sociale, në
atë verbal nëpër komente, apo mbizotëron agresiviteti? A do të mundte
Profeti a.s. të bëhej njeriu më i dashur në tokë, të rrëmbente zemrat e
miliarda njërëzve nëse do ishtë i ashpër? Përgjigjen e jep vetë Zoti I
Gjithëdijshëm: “Sikur të ishe i zymtë dhe zemërgur do të hiqnin dorë prej
teje”.
Nuk është kurrë vonë të përmirësojmë vetveten, të studiojmë sa më shumë
urdhërat Hyjnor, të bëhemi student të akademisë Profetike dhe Kuranore.
Patjetër duhet sa më shpejt të vendosim në jetë këshillën universale: “Të
keqen ktheje me të mirë!” Vetëm kështu cdo armik do mund të shndërrohet në
mikun tonë.
Comments
Post a Comment