Xhamia e Namazgjasë, ëndrra që po merr jetë dita ditës

Nga Brunilda Basha*
Ndonëse projektet e së ardhmes në Tiranë synojnë drejt arkitekturës moderne, ajo e kulteve fetare duket sikur i qëndron besnike akoma stilit klasik. Kjo dëshmohet jo vetëm në Xhaminë e ardhshme të Qendrës, por edhe më parë në simotrën e saj, katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, e projektuar në stilin Bizantin, shkruan arkitektja Basha. Megjithatë thotë ajo, edhe kjo lloj zgjedhjeje është e lavdërueshme.

Teksa vozit nëpër rrugën përkrah Namazgjasë në Tiranë, askush nuk mund të kalojë pa vënë re faltoren që po merr formë dita ditës. Dikush përlotet, një tjetër psherëtin, e dikush tjetër gati as nuk mund ta besojë se ëndrra e tij dekadore po bëhet realitet. Sa kërkesa, sa lutje, sa debate e konflikte vit pas viti, sa nevojë për atë Xhami të Madhe! Sa premtime të thyera nga politikanë në prag zgjedhjesh, e sa shpresa që shuheshin dalëngadalë pasi rezultati fitohej. Sa njerëz që puthnin me ballë tokën në sexhde çdo të premte në kulmin e vapës e acarin e dimrit jashtë oborreve të xhamive të Tiranës, të cilat s’mund ta përballonin më numrin e besimtarëve. Pikërisht këta besimtarë të devotshëm, që nuk kërcasin hapat teksa i drejtohen faljeve të ditës; nuk trumbetojnë zhurmë tek çdokush i cili nuk është në gjendje të shohë kërkesën shpirtërore që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ka, janë përgjigja më e argumentuar për këdo të shqetësuar se Tirana po mbushet me xhami pa qenë nevoja, se xhamitë janë bosh dhe një xhami e re me ato përmasa s’duhej të zinte vend në një “park publik”.
Ndërsa sot, kur sheh veprën, kupola dhe minaret e së cilës po i drejtohen qiellit në heshtje, koha bëhet Njësh. Çdokush harron se ka plot 26 vjet që pret të shkelë mbi tapetin e saj, të marrë abdes në ujin e kristaltë për t’u takuar me Zotin. Askush s’ndjen më keqardhje, por veç lumturi dhe padurim për përfundimin e plotë të saj.
Tashmë xhamia me harqet në madhësi të ndryshme që e rrethojnë, me minaret elegante, dhe me kupolën masive mbi vëllimin qendror të saj po konkretizohet fizikisht. Ndonëse projektet e së ardhmes në Tiranë synojnë drejt arkitekturës moderne, ajo e kulteve fetare duket sikur i qëndron besnike akoma stilit klasik. Kjo dëshmohet jo vetëm në Xhaminë e ardhshme të Qendrës, por edhe më parë në simotrën e saj, katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, e projektuar në stilin Bizantin. Të dyja këto qasje kanë patur jo pak reagime në opinionin publik, e sidomos arkitektura e Xhamisë. Në aspektin arkitekturor qytetari mund të jetë ose përdorues i një hapësire të caktuar ose thjesht spektator i saj, ndërsa çdo objekt duhet të përfshijë dhe të plotësojë të dyja këto kategori, si anën funksionale ashtu edhe atë estetike. Nëse e para i përgjigjet më së shumti përdoruesve të objektit, e dyta i përgjigjet përmirësimit të imazhit të qytetit dhe shkallës urbane, duke u shndërruar në identitet solemn të një qytetërimi të caktuar.
Qëllimi kryesor i një faltoreje, ashtu si dhe ndërtesave të llojeve të tjera synon në vetvete t’i sigurojë përdoruesit hapësirën sa me funksionale dhe të rehatshme. Më specifikisht, një xhami duhet të transmetojë domosdoshmërisht prekjen shpirtërore me Zotin, njeriun dhe mjedisin, e cila arrihet në çfarëdolloj stili apo materiali, mjafton që t’i përgjigjet kontekstit (klima, relievi, kultura, etj.) dhe nevojave.
Me të drejtë dikush do preferonte një imazh më bashkëkohor, larg portikëve, harqeve dhe minareve tradicionale. Ndoshta dikush nuk do dëshironte asnjë element që na përkujton stilin tradicional Otoman, edhe pse ky stil nuk është i huaj për ne, por as dhe në shkallë globale. Xhami me arkitekturë tradicionale Otomane të ndërtuara në kohën moderne janë të pranishme nga Europa në Azi e Amerikë. Në zhvillimin arkitekturor, e shkuara dhe e ardhmja janë një binom të cilët ecin së bashku dhe vlerat e tyre duhet të shkrihen në planifikimin tërësor të një objekti. Duhet një përpunim dhe balancim midis vlerave të së shkuarës dhe të tashmes që objekti të vendosë vulën e kohës kur është ndërtuar.
Nuk munguan as krahasimet me projektin fitues të studios daneze në vitin 2011. Një projekt i tillë modern për shumë vetë do ishte një përfaqësim dinjitoz në arenën e urbanistikës europiane, pse jo dhe një pikë tërheqëse për çdo turist. Një pikëpyetje e madhe për këtë pohim, pasi momentalisht Tirana është një zhgënjim total në aspektin urban dhe nuk e di sa do ndikonte një ndërtesë e vetme në imazhin e tërë qytetit. Nëse shqetësimi është t’i japim një imazh modern të Islamit Europës, na duhet të kujtojmë se stili i ndërtesës nuk ndikon në predikimet fetare që ajo faltore do të përfaqësojë. Filozofia fetare, respektivisht ajo Islame është autentike dhe e pandryshueshme pavarësisht formave të ngurta dhe fizike të kultit fetar.
Nëse krahasojmë dy modelet e paraqitura për këtë Xhami qendrore; fitueses nga Studio BIG në 2011-tën dhe propozimit aktual që është në proces ndërtimi, vërejmë se tek e para kishim një largim absolut të elementeve tradicionale të xhamisë, e cila krijonte çoroditje në përcaktimin e tipologjisë së objektit në distancë. Tek e dyta, kemi një ngjashmëri të plotë të stilit tradicional otoman dhe pak ide inovative në pamjen e jashtme të fasadës.
Megjithatë s’na mbetet tjetër veçse të presim deri në fund veprën e përfunduar, me elementet plotësuese të saj (dekorimi, ndriçimi, ngjyrat) e cila do përqafohet, por edhe mund të kritikohet. “Bukuria qëndron në sytë e atij që e sheh” mund të aplikohet te çdo shikues apo përdorues të ndërtesës, ndërsa në aspektin profesional, objekti gjykohet duke u bazuar në rregullat e vendosura urbanistike, si dhe vlerave shpirtërore, funksionale, kulturore, e estetike që një objekt duhet të ndjekë.
*Arkitekte. E specializuar në Restaurim dhe Ruajtje të Trashëgimisë Arkitekturore, IIUM, Kuala Lumpur

Comments