Arkitektura është arti i ndërtimit bukur, një proces i të menduarit të njeriut dhe evidencë e aktivitetit të tij. Mbajeni mend frazën e fundit. Është shumë e rëndësishme. (Ernst Johnson)
Zhvillimet e fundit, sidomos punimi me sheshet e qyteteve kryesore kanë zënë një hapësirë relativisht të konsiderueshme në debatin publik e profesional. Fatkeqësisht duket sikur vlerat kulturore krijojnë zhurmë vetëm atëherë kur e keqja ka trokitur në derë. Duhet të shembet e të kthehet në gërmadhë një ndërtesë me vlera të rralla historike, të shtrohet beton nëpër sheshe të cilat varrosin nën to mbetje historike, që ne të fillojmë të ngremë zërin masivisht, dhe përgjegjësit e vendimeve, të marra kryesisht me shpejtësi dhe pa përgjegjësi profesionale, të vihen në pikëpyetje.
Debati mbi Velierën e Durrësit këto ditë, ndryshe nga shumëkush të cilët me të drejtë ndiejnë keqardhje mbi dhunimin kulturor që i është bërë dhe po i bëhet Durrësit, zbulime të cilat zhduken sikur as të mos ishin zbuluar fare nga arkeologët, më ktheu në gjenezën e problemit. Respekti i përgjithshëm që ne si popull kemi për të shkuarën tonë, sa pak e duam dhe e vlerësojmë atë, se si pamëshirshëm i lëmë në mëshirë të fatit deri në momentin kur t’i lirojnë vendin ndonjë kulle apo objekti pa shije “alla moderne” herë me leje e herë pa leje, duke mos respektuar shumicën e ligjeve të urbanistikës. Ndërkohë, për shumë qytete në botë, mbetjet arkeologjike apo arkitekturore të së shkuarës konsiderohen bekim për atë qytet. Pasi siç thotë Steinbeck “Nga ta dimë se jemi ne, nëse fshijmë të shkuarën tonë?”.
Më ktheu gjithashtu edhe në misionin e çdo profesionisti, sidomos atij të përfshirë me mjedisin ndërtimor për ta ruajtur dhe trajtuar me kujdes atë. Një rol kyç në formimin e të ardhmes së një qyteti është ajo çka ai ka kaluar, historitë e ndodhura, mësimet e nxjerra, kujtesa e cila nuk ndërpritet. Pikërisht kujtesa e së djeshmes e cila na përhumb vetvetiu nëpër spektrin e nostalgjisë, shërben në formësimin e të tashmes e do lërë pasojat e veta në të ardhmen.
Trashëgimia historike dhe kulturore është diçka që duhet kaluar nga një brez në tjetrin, pasi identiteti i një populli dhe kombi përcaktohet kryesisht nga trashëgimia e tyre. Jo më kot UNESCO i konsideron objektet historike mjedise të krijuara nga vetë njeriu, të rëndësishme dhe që duhen ruajtur për vlerat kulturore që mbartin. Por jo vetëm kaq. Ndërtesat përveçse ruajnë identitetin e shkuar të një vendi ata mbartin vlera nostalgjie, shpirtërore dhe emocione të përjetuara nga frymorët që e kanë prekur atë vend. Ato janë vlerat estetike, historike, shkencore dhe shoqërore të mishëruara në mjedisin ku ndodhen, përdorimin, dhe lidhjen e ngushtë që mund të kenë me objektet rreth e rrotull.
Ruajtja e trashëgimisë jo vetëm që përmirëson jetën sociale të qytetit, por është një katalizator i turizmit dhe përfaqësimit dinjitoz të vlerave tona në rang ndërkombëtar. Shumë destinacione si Spanja, Italia, Franca dhe Anglia janë të famshme pikërisht për elementet e tyre kulturore. Statistikat dëshmojnë se turizmi kulturor ndikon fuqishëm në rritjen e ekonomisë së një vendi. Model ky i cili po adaptohet fuqishëm në shtetet që synojnë statusin vende të zhvilluara, siç është Kina, Malajzia, Brunei e gjetkë. Ndaj, e parë nga ky këndvështrim, për një vend si Shqipëria (e cila nuk është as Dubai apo Singapori) është pikërisht trashëgimia historike, e përcjellë brez pas brezi, e pranishme kudo, pa patur fare nevojë për ta kërkuar, ajo që i vjen më shumë në ndihmë prosperitetit turistik e ekonomik se sa një shesh betonik 6 milionë dollarësh me një velë në mes, për të cilin pretendohet se do të ftojë mijëra turistë për ta vizituar.
Është shumë e domosdoshme që organet përgjegjëse t’i japin hapësirën dhe rëndësinë e duhur fjalës së profesionistëve të mirëfilltë, arkitektëve, urbanistëve, arkeologëve me plot vite mbi shpatulla, të cilët njohin më mirë se çdo profesionist i huaj vlerat e relikteve të vendit tonë. Qofshin ato një shtëpi guri kullë, saraje feudalësh, një kështjellë, një amfiteatër, një hamam, një ndërtesë religjioze apo një rrugë me kalldrëm. Të dokumentohet çdo objekt historik e të trajtohet me kujdes e profesionalizëm nga autoritetet përkatëse. Pasi “nuk mundemi thjesht të ndërtojmë një objekt të ri në një vend” (Tadao Ando), nëse ai nuk ka arritur të konsiderojë e përtypë të gjitha elementet e duhura që formësojnë një projekt të denjë arkitekturor të një qyteti.
*Arkitekte. E specializuar në Restaurim dhe Ruajtje të Trashëgimisë Arkitekturore, IIUM, Kuala Lumpur
Comments
Post a Comment