Qyteti i
Elbasanit ndodhet në luginën e lumit Shkumbin në Shqipërinë qendrore. U ndërtua
mbi eshtrat e qytetit të lashtë të Skampës, një qendër e fortifikuar në rrugën Egnatia, rrugë që lidhte
portin e Durrësit me qytetin e Bizantit. Studimet arkeologjike dëshmojnë se
jeta në zonën e qytetit të Elbasanit filloi në shekullin e 1 para Krishtit. Ptolemeu shfaqi provat e para të Elbasanit të
lashtë në shekullin e dytë të epokës sonë. Ai njihej me emrin “Skampa” e më
vonë me raste edhe me emrin “Skampium. Në
kohën e sundimit të perandorit romak Deoklician (284-305 para Krishtit),
kështjella Skampis u ndërtua në funksionin e rrugës Egnatia. Kalaja romake ishte origjina e qytetit të
ardhshëm të Skampis. Gjatë mbretërimit të Perandorëve Anastasios (492-518) dhe
Justinian (527-565), qyteti njohu një ringjallje të jetës. Në këtë periudhë,
muret rrethuese të qytetit u rindërtuan. Skampis u shkatërrua nga bullgarët dhe
ostrogotët gjatë pushtimeve sllave të Ballkanit. Vendndodhja duket se ka qenë
braktisur deri sa osmanët ndërtuan kampin ushtarak, e ndjekur nga rindërtimi
urban nën sundimin e Sulltan Mehmet II, i cili ndërtoi kështjellën masive me
katër anë, me një hendek të thellë dhe tri porta, dhe e quajti atë Ilj-basan,
që do të thotë "vend dominues".
Qyteti u ngrit
mbi themelet e kështjellës bizantine në një fortifikim të sheshtë për qëllime
strategjike nga Perandoria Osmane. Qendrat e popullsisë së qytetit kishin një
rritje të shpejtë për shkak të pozicionit të tyre në mes të rrugëve tregtare
dhe ushtarake.
Një panoramë
rreth qytetit të Elbasanit është dhënë nga Evlija Celebi në shekullin e 17-të,
i cili e përshkruan Elbasanin si një qytet me 18 lagje muslimane, 10 të
krishterë dhe çifutë, që lulëzojnë me 1500 shtëpi, 46 xhami, 900 dyqane, 3
imareta dhe 3 banja (hamame).
“Qyteti jashtë mureve, i cili i ngjan kopshtit përrallor të
Irem-it, ka 18 mëhalla me myslimanë dhe 10 mëhalla me të pafé grekë, shqiptarë
e latinë.”(E.Celebi)
Gjatë shekullit
të 18-të, Elbasani ishte një qendër e rëndësishme tregtare me zejtari të madhe,
e dyta pas Shkodrës me rreth 30,000 banorë.
R.Elsie, ka shkëputur
nga udhëpërshkrimi (Sejahatnameja) i Evlija Çelebiut për Shqipërinë edhe pjesë mbi Elbasanin. Sipas
tij përshkrimi i Elbasanit para më shumë se treqind viteve ka qenë pa dyshim
pika më kulminante e udhëpërshkrimit të Evlija Çelebiut për Shqipërinë.
Celebi e quan
kalanë e Elbasanit, nuse në këtë botë.
“Kalaja e madhe dhe e lashtë e Elbasanit, nuse në këtë botë. Sikundër qyteti i
Antepit është nusja e Anadollit, ashtu edhe qyteti i Elbasanit është nusja e
Shqipërisë në Rumeli.”
Kalaja e Elbasanit gjendet
në një fushë pjellore, e cila shtrihet nga veriu e nga jugu në një gjatësi
300x350m dhe ka patur gjithsej 26 kulla. Kishte tri porta: një në lindje, një
në perëndim dhe një në jug në drejtim të Mekës e cila ka një datë në harkun e
saj që tregon vitin 1454-1455. Sot vetëm porta jugore është ruajtur dhe dy
portat e tjera janë shkatërruar në shekullin e 19-të.
Brenda
mureve të kështjellës, duke iu referuar Celebit, përveç shtëpive të banimit,
strehonte edhe xhaminë Hunkar, kullën e orës dhe Xhaminë Sinan Pasa, të
ashtuquajtur Xhamia e Mbretit. Ai shkruan:
“Përmbi portë, në
nivelkati të dytë, është xhamia e Hynqarit, një ndërtesë e vjetër prej guri, me
çatinë me tjegulla. Afër xhamisë është një kullë sahati e lartë. Sahati është i
ndërtuar me mjeshtëri të lartë dhe është shumë i saktë, nuk luan as minutin e
sekondën, prandaj dhe muezinët e të gjitha xhamive e ndjekin me besnikëri."
Sot Xhamia
e Hunkarit në hyrje të Kështjellës nuk ekziston më, ndërsa Xhamia Mbret dhe
kulla e orës ekzistojnë. Xhamia Mbret, xhamia më e madhe dhe më e vjetra në Elbasan u ndërtua në
1490-1500 nga sulltani Bejazidi. Në vitin 1967, koha kur i gjithë
regjimi vendosi të shkatërronte të gjitha strukturat fetare, minarja e saj u
shkatërrua dhe brendësia u modifikua gjithasht. Gjatë asaj kohe xhamia dëmtohet
relativisht shumë. Është rindërtuar kohët e fundit, edhe pse pa minaren që
dikur kishte. Katër anët e murit të saj ishin të mbushura me mbishkrime poezish
nga udhëtarët që vinin nga Turqia, Persia apo Arabia. Edhe E. Celebi la një
shënim të shkurtër mbi të. Për këtë xhami ai shkruan:
“Në mesin e kalasë është xhamia e vjetër e madhe e
Sinan Pashës, ngrehinë njëkatëshe.
Faqet e jashtme të katër mureve të saj janë plotësisht të mbushura me
dyvargëshe, vjersha,
kaside, hadithe dhe njëvargësh, të mbishkruar nga udhëtarë të ardhur prej
Turqie, Arabie e
Persie, secili me dorën e vet, me bukurshkrim. Po të mblidheshin të gjithë së
bashku, mbishkrimet do të përbënin 100 vëllime. Në këtë xhami kanë
ardhur mijëra vjershëtorë, të
cilët janë munduar kush e kush të dëftejë mjeshtëri më të madhe vjershërimi se
tjetri, prandaj
muret jashtëzakonisht të sheshta, të lëmuara e plot dritë janë të mbuluara me
krijime artisttë panumërta. Madje, në pajtim me zakonin tim të hershëm për të lënë gjurmë në
çdo fshat a
qytet a vend-faljeje ku shkoja, edhe unë kuturisa të shkruaja një dyvargësh e
ta nënshkruaja:
Ketebehu seyyah-i’alem Evliya sene
1081 (E shkruar nga udhëtari nëpër botë Evlija, viti
1081/1670). Kronikanët u kanë vënë emra të veçantë çdo qyteti, kurse këtë
Elbasan e kanë
quajtur Shtëpia e Vjershëtorëve.”
Qyteti
i Elbasanit njihej për mikëpritjen dhe bujarinë e madhë. Dyert e shtëpive ishin
hapur ditë e natë. Elbasanasit e kishin për turp ti mbyllnin derën mysafirit
apo nevojtarit. Në pragjet e dyerve dhe në pjesën e hajatit shkruhej:
“Për ty agu i ditës është i bekuar me lavdi e mbrothësi,
Dera jote është e hapur për të gjithë nevojtarët.”
“Nderi i shtëpisë varet nga
i zoti,
Kurse nderi i të zotit varet nga bujaria e tij.”
Për
bujarinë e Elbasanit Celebi thotë: “Kam
dyzet vjet që udhëtoj, por kurrë nuk kam hasur një dashamirësi si kjo,
mepërjashtim të Hizir Agait, komandantit të jeniçerëve në Tripolin sirian, dhe
të qytetit të Elbasanit.”
Nuk dihet numri I sakte I xhamive të Elbasanit, por
sipas Lef Nosit në vitin 1930 qyteti
kishte 31 xhami, ndërsa në kronikën e Celebiut ai numëron 46 faltore, nga të cilat më
e
vjetra ishte xhamia e Sultan Mehmedit,
“një godinë dykatëshe, me numër të madh besimtarësh që
kryejnë ritet e faljes”.
Në
shekullin e 17-të brenda kështjellës kishte 460 shtëpi me një dhe dy
katëshe me çati me tjegulla. Qyteti jashtë mureve shtrihej nga të
gjitha anët e kalasë. Shtëpitë brenda mureve të kështjellës
kishin një densitet të madh të ndërtesave, ndërsa lagjet e jashtme ishin më të
qeta. Celebi e përshrkuan në një mënyrë përrallore qytetin, gati gati si një
kopësht prej kopshteve të Parajsës:
“Sarajet e begata e plot dritë jashtë mureve
të kalasë janë të hijeshuara me pjergulla të bukura, me kopshte si ato të
parajsës, me lulishte, me çardakë e kënde kuvendimi. Janë me dy a tri kate,
prej guri e me çati me tjegulla. Secila syresh ka çesëm me ujë të kulluar të
rrjedhshëm dhe hauz e shatërvan që spërkat ujin nga sylynjarët. Janë banesa të
rehatshme, si ato të kopshteve të parajsës. Në qytetin jashtë mureve të kalasë
vetëm majat e minareve të xhamive janë të mbuluara prej plumbi; të gjitha
ndërtesat e tjera kanë çati me tjegulla të kuqe.”
Sot, qyteti i minareve, isarajeve dhe kopshteve të
lulëzuara, vazhdon ta ruajë akoma traditën e mikëpritjes, zemërbardhësisë,
mirësisë dhe bujarisë. Fatkeqësisht, kjo gjë nuk mund të thuhet edhe për
trashëgiminë arkitekturore të saj. Regjimi komunist, ashtu si në cdo qytet
tjetër të Shqipërisë fshiu mbi 80% të trashëgimisë kulturore e arkitekturore të
ngritur për mëse 5 shekuj.
Revista Familja, Qershor, '19
Comments
Post a Comment