Denis Diderot, filozof dhe shkrimtar
francez thotë për gruan: “Të shkruash për
gruan duhet ta zhytni penën në ylber dhe letrën ta thani me flatrat e fluturave”.
8 Mars-Dita e cila shënon pikënisjen e Lëvizjes
për të drejtat e Grave. Në çdo cep të globit manifestohet Dita Ndërkombëtare e
Gruas. Ditët e caktuara janë si nje pikëtakim kohor ku ne risjellim dhe
analizojmë situatat e ndryshme në të shkuarën, gjendjen e tanishme, dhe shikojmë
përpara. Planifikojmë, hedhim strategji reale si ta ndërtojmë të nesermën në mënyrë
që të jetë më e mirë. Ndonëse një ditë mund të mos jetë mjaftueshëm për të
ndryshuar gjithçka, por një ditë mund të
jetë e konsiderueshme për të zgjuar shumë zemra dhe mendje, për t’u
sensibilizuar, për të gërmuar brenda vetes dhe për të gjetur forcën, energjinë,
mobilizimin mbi ide të qarta për hapat e së nesërmes.
Gratë gjithmonë kanë luajtur një rol
jetësor në zhvillimin njerëzor. Eshte një rol i cili fillon sëbashku me
krijimin e kësaj bote dhe vazhdueshmërine e njerëzimit. Zoti thotë: “Njerëz, Ne ju kemi krijuar të gjithëve nga
një mashkull dhe një femër.” (Huxhurat: 13) …”Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e
tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër.” (Imran: 195)
Por fatkeqësisht është një rol që kryesisht
trajtohet si i panjohur, ose i dorës së dytë. Ditët e sotme, edhe mëmësia është
kthyer në një ngarkesë per femrën. Duke mos patur mundësinë e përfshirjes në një
rreth më të gjerë kontributi në shoqeri, ajo fillon e nënvlerëson misionin më të
shenjtë të saj, ndër ta edukimi i njeriut të së Nesërmes. Pak flitet se gruaja është
një kujdestare e mirë në familje dhe po aq kujdestare profesioniste në shoqëri.
Pak ose aspak flitet për gra të forta, çelës kyc në periudha te ndryshme të
historisë. Është e natyrshme të promovojmë emra meshkujsh ndër nesh, apo te shpërndajmë
thënie motivuese se: Njeriu mund te bëjë çdo gjë, pasi çdokush ka të njëjtën
kohë ditore si Anshtajni, Edisoni, etj. Ndonëse femra me gjurmë të mëdha në histori janë
edhe Fatima al-Fihri- themeluesja e
universitetit të parë, matematicientja Sutayta al-Mahamili apo Ada Lovalace, shkencëtarja
Marie Curie (e cila është femra
e parë që mori çmimin Nobel në 1903), Rosalind Franklin, Margaret Thatcher apo
Labana e Kordobës, Sitt al-Mulk, Melike Nene Hatun, nëna e Isait- Merjem, gruaja
biznesmene- Hatixhja r.a.. Nëse duam të
kuptojmë qartë rolin e femrës në shoqëri është pikërisht njohja e emrave të
tillë, mijëra gra në çdo epokë dhe pozicion gjeografik,, përgjatë gjithë
historisë ishin politikane, juriste, mjeke, aktiviste për të drejtat e njeriut,
artiste, shkrimtare, mësuese, edukatore, ndërtuese virtytesh, dijesh,
intelekti, edukimi.
A është e lehtë në realitetin e sotëm të
jesh e sukseshme në cdo sferë të jetës? Besoj se është e veshtirë, por jo e pamundur.
Nuk ishte e pamundur as për nënat apo gjyshet tona. Nuk është e pamundur nëse i
qëndron stoike ëndrrës, dëshirave, qëllimit për të përmirësuar botën në të cilën
frymojmë. Sfidat e gruas në ditët e sotme janë të shumta.
Statistika të ndryshme tregojnë se vlerësimi
i punonjësit femër nga ana e pagëdhënies apo punësimit është më e ulët se e
mashkullit. Arsyen e kësaj e shpjegon fare mirë Ana Maria Slaughter. Pas një karriere të
gjatë dhe sukseseve të njëpasnjëshme, ajo kuptoi se femra nuk mund t’i ketë të
gjitha, (të paktën) akoma jo. Me të drejtë, argumentonte se arsyeja pse një
femër s’mund të ketë çdo gjë në këtë jetë, mbështetet në vështirësinë për të
arritur një ekuilibër midis jetës personale, familjes dhe karrierës. Kjo, jo
për shkak të paaftësisë së saj, por sepse sistemi në të cilin rrotullohet çdo
gjë është ndërtuar mbi një model që e disfavorizon femrën dhe e detyron atë të
bëjë kompromise të vazhdueshme duke sakrifikuar midis familjes dhe
punës. Pra, ne femrat nuk kemi hapësirën për të planifikuar
itinerarin e aktiviteteve sipas prioriteteve dhe përgjegjësive tona. Nuk kemi
fleksibilitetin e orarit, të ditëve apo vendit.
Një
tjetër sfidë është padyshim mungesa e mbështetjes nga familjarët apo partneri.
Ndonëse në kohën e industrializmit menduam se barazia mes gjinive u arrit, kjo nuk
është e saktë. Ne sot kemi nje femër e cila jep 100% të saj në shtëpi dhe punë,
ndërsa bashkshorti në familje kontribon 50-% ose dhe 10%. Kemi pengesë sociale-
kulturore, ndër ta traditat, mentaliteti, ndoshta në disa vende kemi
keqinterpretim të fesë dhe përdorimi i saj per të kontrolluar femrën.
Jasmin Mogahed në lidhje me fuqizimin e
gruas risjell një episod interesant. Kur një shok i Profetit a.s. shkoi në një
qytet për të përhapur mesazhin e Islamit, ai u thotë atyre: “Unë erdha t’ju çliroj nga shërbimi si skllevër
dhe t’ju ngrej në shërbyes të Zotit të skllevërve.”
Brenda kësaj deklarate qëndron një thesar i
fuqishëm. Ky është çelësi i fuqizimit dhe e vetmja rrugë e vërtetë për çlirim. Në momentin që ne lejojmë dikë tjetër të përcaktoj
suksesin apo dështimin tonë, përveç Zotit, ne dashje padashje jemi kthyer në
skllevër. Qofte kjo skllevër të botës mashkullore, të modes dhe trendit, të
nismave apo idealogjizmave të ndryshme. Ne rezultojmë duke matur vetveten me çdo
parametër përveç standarteve të vendosura nga Zoti. Në momentin që Zoti fshihet
nga jeta sociale, familjare, individuale e njeriut, njësia matëse do të jetë diçka
e kësaj bote, dhe rrjedhimist nuk do të kemi balancë ,por do të kemi zhgënjime,
nënvleresim, zhvlerësim të vetvetes. Sot po përpiqemi të fitojmë rolin që na
takon mes një ambjenti rrethues jo të shëndetshëm dhe rregulla të drejta. (Rendi kryesisht është i vendosur nga
udhëheqës së gjinisë mashkullore, të sistemit kapitalis dhe axenda të ndryshme)
Nga ana tjetër, ndikimi i teknologjisë,
rrjeteve sociale, dëshira për t’u dukur, për t’i dëshmuar botës se po, unë
vlej, unë mundem po dëmton dita ditës femrën. Duke
jetuar çdo ditë nën presionin e idesë se konsiderohemi si dytësorë në
zhvillimin jetësor, duke u munduar të konkurojmë në çdo pozicion që ka
mashkulli, duke u përpjekur të harxhojmë energjinë tonë t’i përgjigjemi çdo
sulmi të qëllimshem si për shembull: “Femra
nuk mund të bëjë dot punë te rënda fizike”, dhe që në fakt nuk ka pse t’i
bëjë. Ne duhet të jemi për drejtësi gjinore e cila shkon përtej barazisë. Femra
dhe mashkulli kontribojnë atje ku janë më të fortë. Jo të gjithë punojnë në
ngritje peshash, dhe jo të gjithë në mësimdhënie. Këto slogane dhe intimidime
duhet të anashkalohen duke u fokusuar tek pikat tona të forta me të cilat mund
të japim maksimumin tonë.
Ne kritikojmë
vetveten në çdo hap që ndëmarrim, duke u munduar të arrijmë perfeksionin dhe të
kënaqim gjithkënd. Ama ajo çfarë duhet të bëjmë është të marrim frymë, të
kuptojmë se është totalisht e pranueshme nëse nuk mund të jesh fizikisht në dy
vende të ndryshme në të njëjtin orar. Është e pranueshme të marrësh kohën që të
nevojitet për të pushuar, për t’ju kushtuar fëmisë, apo cfarëdo gjëje që ti beson
se duhet të jetë primare. “Mund t’i kesh
të gjitha në të njëjtën kohë- është një gënjeshtër”-Michel Obama.
Forca e
vazhdueshme që të shtyn për të ecur para është Qëllimi që ti i ke vendosur
vetes për të arritur në një destinacion të caktuar. Ky qëllim të ndihmon të
ngrihesh e ringrihesh sa herë rrëzohesh. Nëse njeriu nuk do kishte nje synim për
të arritur atëherë çdo nismë do e linte përgjysmë. Qëllimi i tij nuk matet vetëm me produktin final në
tokë, por matet edhe me përpjekjen e vazhdueshme që bën per të arritur
objektivin. Madje vetëm me këtë të fundit.
Nëqoftëse
femrat dhe meshkujt do arrinin të kuptonin dhe vinin në jetë fjalën e Zotit “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për
njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja,”(Suretu
Teube; 71) Ne do të kishim një shoqëri më bashkëpunuese, dhe më të shëndetshme
qoftë shpirtërisht dhe moralisht.
Thomas Gray
thotë: Shumë fshatarë do të ishin bërë
Milton, vetëm nqs do iu ishte dhënë mundësia. Ndaj le mos t’i mbyllim ato
dyer të cilat femra ashtu si dhe mashkulli ka çdo të drejtë për t’i patur
hapur, e nëse tashmë janë mbyllur, duhet bashkarisht t’i hapim.
Comments
Post a Comment