Xhamia Camlica-Stamboll



Xhamia “Camlica”. Një xhami për të cilën është folur shumë, analizuar, komplimentuar dhe kritikuar. Shumë e duan dhe shumë e kundërshtojnë. Një xhami madhështore, klasike me 6 minare, pozicionuar ne një ndër kodrat më të dukshme të Stambollit. Nëse pjesa Europiane e Stambollit ka patur dhe ka xhaminë Sulejmaniye, ajo Aziatike sot ka Camlica-ën.  Ish Kryeministri, tashmë presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan në 2012 u shpreh se: “do të ndërtohet një xhami gjigande që do të jetë e dukshme në gjithë Stambollin” dhe kjo xhami u ndërtua. Xhamia Camlica mund të shihet lehtësisht nga çdo cep i qytetit të Stambollit. Ajo është ndërtuar mbi një sipërfaqe 57,500 metra katrorë. Për ndërtimin e kësaj xhamie kanë punuar ditë e natë rreth 600 punëtorë. Kompleksi i kësaj xhamie, i cili është dhe kompleksi më i madh i xhamive në historinë e Republikës së Turqisë, është planifikuar që të mund të falen 63 mijë njerëz në të njëjtën kohë duke e bërë atë një nga simbolet e reja të një megacity si Stambolli. Xhamitë gjithmonë kanë shërbyer  jo vetëm si vende adhurimi, por edhe si hapësira komunale. Në fakt, në xhaminë islame urbane, xhamitë gjithmonë kanë luajtur një rol qendror në hapësirën e jetës publike. Kryesisht në një qytet musliman, xhamia ndodhet në  në qendër të qytetit, rrugët kryesore të lidhin me tregjet dhe medreset ku ofronin mësime fetare dhe shkencore. Komponentët e tjerë morfologjikë që shtriheshin nga aty ishin ndërtesat qeveritare dhe pastaj zona rezidenciale. Kompleksi në Camlica përvec xhamisë ka dhe një muze të Artit Islam me hapësirë rreth 11,000 m2; një sallë konferencash për 1,100 njerëz,  një bibliotekë rreth 3,500 m2 si dhe parking shumëkatësh për  veturat.
Arkitekti kryesor dhe drejtuesi i punimeve të xhamisë është Mehmet Gunür,i cili në vitin 2012 qe shprehur se: "Projekti është shumë sfidues në aspektin e madhësisë së tij. Ne do të ndërtojmë një kube edhe më të madhe se kubetë e ndërtuara nga paraardhësit tanë. Xhamia do të ketë minaretet më të larta të botës. Lartësia e minareve do të tejkalojë edhe minaret e 105 metra të lartë të Medine-i Münevvere [në Medinë].”
Stili i xhamisë është kryesisht një miksim i Selxhukve me atë klasike Otomane. Planimetria e përgjithshme ndjek principet e cdo xhamie, holli i faljes (për burra dhe gra) dhe courtyard-i (oborri) me shatërvanin në mes. Shumë prej karakteristikave të dizajnit të saj, siç janë kupolat dhe minaret na kujtojnë xhamitë klasike në qytet, sidomos ajo Suleymaniye. 
Një nga tiparet më të dukshme dhe të dallueshme të xhamisë është kubeja kryesore e saj, e cila është e rrethuar me kupola më të vogla, si dhe një seri harqesh.

Xhamia që qëndron krenare mbi kodër ka  një kube kryesore gjigande me një lartësi prej 72 metrash dhe një diametër prej 35 metrash.  Harqet përmbajnë dritare dekorative dhe mbështeten nga mbështetëse pjesërisht të fshehura brenda mureve të strukturës dhe më tej të mbuluara nga galeritë. Dritaret janë zbukuruar nga xham shumëngjyrësh. Xhamia ka 6 minare që përfaqësojnë kushtet e besimit  ku 4 prej tyre kanë 3 ballkone secila dhe një lartësi prej 107.1metra  dhe dhe 2 minaret e tjera kanë 2 ballkone dhe një lartësi prej 90 metra secila. Përvec minareve më të larta, edhe minberi ku mbahet hutbeja i cili është i ndërtuar i tëri në mermer përbëhet nga 48 shkallë duke e bërë atë më të lartin ndërmjet xhamive në Turqi,.
Oborri formohet nga harqe që I bien përreth hapësirës boshe me shatërvanin në mes, të përbëra nga graniti  i kuq dhe I bardhë te mbeshtetur ne kollona me kapitale të detajuara mbi to.

Dekorimet janë nga më të ndryshmet nga kaligrafia ku janë shkruar ajete deri tek zbukurimet florale, format gjeometrike islame, format e hojëzave të bletëve, tek detajet e mukarnas në hyrje të dyrve, poshtë ballkoneve të minareve dhe cepeve të hollit falës. Ngjyra që mbizotëro dekorimin e brendshëm është bluja në nuanca të ndryshme. Edhe tapëti ndryshe nga xhamitë në Stamboll ku mbizotëron e kuqja, në Camlica është menduar të shtrohet me një tapet fin, fusha blu me florale të lehta në ngjyrë të bardhë, bezhë dhe gri. Shandani në mes, të ngjason me yje që biejnë nga qielli. Atmosfera e përgjithshme është në harmoni dhe në paqe të plotë në kombinimin e tërësishëm të elementeve të brendshme dhe të jashtme duke ofruar një panormalë të kënaqshme për syrin dhe shpirtin e cilit do që do falet apo do e vizitojë xhaminë. 
Pavarësisht qasjeve moderne që hasen cdo ditë në projektet e reja të xhamive nëpër botë, në këtë xhami trashëgimia e Arkitekt Sinanit është preferuar të ndiqet hap pas hapi. Kopjim apo jo? Ka risi apo jo, ajo xhami kumbon fort madhështi, forcë, qëndrueshmëri dhe më e rëndësishmja na merr në trenin e historisë duke nga dërguar në kohën e kulmit të Arkitekturës së Perandorisë Osmane.

Brunilda BASHA

Comments