Tirana ime është bosh
Qyteti im sot është bosh!
Nuk ka më kalimtarë, përshëndetje,
gjurmë,
urata apo mallkime!
Kafja që e zgjonte cdo mëngjes
nga ëndrrat e natës,
është kthyer në Ndalesë.
Semafori qëndron jeshil
nga të dyja anët.
Stop!
Lexohet vec nga hijet e padukshme
të qytetit të kthyer në fantazmë!
Në parqe s'ka më gumëzhima fëmijësh,
as domino dhe muhabet të gjyshërve!
Veç,
cicërima zogjsh!
Disa fëshfërima gjethesh
mundohen të mos e lenë frymën
e fundit t'i ikë.
Qyteti im është thyer!
Nga të katërta anët e tij
është bosh,
veç mendimeve tona.
Pendimet, faljet,
reflektimet.
Ata janë plot!
Sot duam t'i kemi duart plot
për çdo herë që i kthyen duart e Lulit vocërr bosh.
Zemrën duam ta mbushim me dashuri,
për çdo herë që ish' treguar bosh me çdo njeri.
Shpirtin sot po e ngrohim me rrezet e diellit,
për çdo herë që ka frymuar ftohtësi
në qytetin plot.
Sot po flasim me sho-shoqin nëpërmjet heshtjes e dhembjes me shumë se dje,
kur fjalët ndonëse fliteshin nuk arrinin të dëgjoheshin kurrë.
Dora bosh po na rëndon më shumë se kur ishte plot,
E kurrë nuk dha asgjë.
Sot,
Zemra e ftohtë u ngroh.
Krenaria u përul.
Arroganca u mbështet mbi thjeshtësisë.
Qyteti i thyer vet,
po na mëson të ngjitim copëzat e
njeri-tjetrit,
Të duam,
Të shtrijmë duar,
Të përqafojmë dhembshurinë,
Te zgjojmë Shpresën.
Të ushqejmë mendimin e Mirë.
T'i kthejmë sytë nga Zoti
Krijuesi i Gjithësisë!
~
Brunilda Basha
Mars 2020-COVID19
Comments
Post a Comment