"Jeta imiton artin shumë më
tepër sesa arti imiton jetën."-Oscar Wilde
Arti ka qenë pjesë e jetës për aq kohë sa vetë njerëzimi ka ekzistuar. Për mijëra vjet me radhë deri në ditët e sotme, njerëzit krijojnë, vështrojnë dhe shijojnë artin. Është pjesë e kulturës dhe jetës sonë të përditshme. Arti, në të gjitha format e tij – qoftë përmes artit vizual, muzikës, letërsisë, teatrit, apo edhe kinematografisë – ka aftësinë të krijojë një realitet të ri, të sugjerojë mënyra alternative të të menduarit dhe të jetuarit. Ai nuk është thjesht një pasqyrim pasiv i asaj që ekziston, por një forcë aktive që ndikon në mënyrën se si ne e kuptojmë dhe e interpretojmë botën rreth nesh. Përmes artit, ne jemi të aftë të shohim përtej të dukshmes, të sfidojmë konceptet e pranuara dhe të eksplorojmë mundësitë e reja.
Në këtë kontekst, arti bëhet një mjet për të ndërtuar ura të reja të komunikimit ndërmjet individëve dhe komuniteteve. Ai na lejon të shprehim ndjenja dhe përvoja që janë të vështira për t'u artikuluar me fjalë. Kjo krijon një hapësirë për empatinë dhe mirëkuptimin, duke na ndihmuar të lidhemi me të tjerët në nivele më thellësore. Për më tepër, arti mund të jetë një mjet për ndryshim social, duke sfiduar normat dhe vlerat ekzistuese dhe duke propozuar vizione të reja për të ardhmen. Arti i bashkon njerëzit, duke u kujtuar atyre vlerat që e duhet të mbështesin, u kujton se cfarë ka më shumë rëndësi në jetë, dashuria, e bukura, e mira, pikat takuese dhe jo ndarëse, pasionet dhe dëshirat e njeriut. Ai ngrihet mbi klasën politike, gjuhën, nacionalitetin, gjininë apo faktorë të tjerë të cilat mundohen të na ndajnë.
Arti në shumicën e rasteve më tëpër se sa krijimtari e bukur për t’u parë, është ajo cfarë ne jemi, cfarë na ka ndodhur, sa të thyer mund të ndihemi, si të shërohemi, si të ngjisim copëzat, si e ngjyrosim jetën. Në Greqinë e lashtë, arti ishte virtyt i njeriut të mirë, i cili përkrahte kulturën, intelektin dhe vlerat estetike. Po ashtu dhe filozofët si Plato apo Aristoteli kanë pohuar ndikimin dhe vlerën e madhe të artit në jetën e fëmijëve. Në Amerikë, pas luftës Revolucionare të shek.18, veprimtaritë artistike si letërsia, poezia e muzika ishin ndër aktivitetet më të pëlqyera për të përmirësuar cilësinë e jetës. Studime të shumta vërtetojnë se arti është një mjet i fortë në përmirësimin e mirëqënies, në edukimin e të rinjve, në përfshirjen sociale,në zhvillimin ekonomik dhe rigjenerimin e komunitetit. Ai i jep shoqërisë identitet kulturor si dhe ndikon në përmirësimin e shëndetit mendor e fizik të njerëzve.
Arti shihet
si një instrument për të mirëmbajtur shoqërinë. J. Dewey në librin e tij Arti
si një eksperiencë deklaron se vlera e artit duhet të përfshihet në sistemet e
marrëdhënieve shoqërore. Pra arti nuk qëndron për veten e tij, por përkundrazi
është në shërbim të vlerave të shoqërisë. Sic dhe Pablo Picasso thotë: "Arti largon nga shpirti pluhurin e jetës së
përditshme.”
Thënë këtë, shoqëria duhet ta shohë dhe trajtojë botën e artit dhe kulturës si një burim jetik jo vetëm për zgjidhjet, por edhe për mënyrat e gjetjes së zgjidhjeve. Veprime të ndryshme brenda arteve, siç janë pikturat, muralet, festivalet, panairet, vizitat në muze, ekspozitat apo shfaqjet teatrale shërbejnë si një arratisje nga rutina e përditshme. Ndërkohë që argëtohesh ndjehesh i lirë, pushon, relaksohesh dhe shijon dicka të bukur.
Pra, arti ka
ndikim në anën psikologjike të njeriut duke përmirësuar cilësinë e jetës së
tyre. Aktivitete të tilla jo vetëm ofrojnë kënaqësi momentale, por hapin
dritare të reja për vëzhguesin, i celin dyer imagjinatës, mendimit kreativ dhe
të pavarur duke ndikuar kështu në dëshirën për të sjellë dicka të re, ndryshe, unike
dhe me individualitet të tijin.
Brunilda Basha
https://muslimania.al/arti-dhe-jeta-ne-nje-lidhje-te-ndersjellte/
Comments
Post a Comment