FUQIA SHERUESE E ARTIT

 




Artisti i shekullit të 20-të Georges Braque ka thënë: “Arti është një plagë që kthehet në dritë“.  


Fjalët e tij tingëllojnë më të vërteta se kurrë në vazhdën e studimeve të shumta që janë ndërmarrë mbi artin dhe lidhjen e tij me shëndetin si dhe me rolin që ka arti në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies. Rezultatet e këtyre studimeve kanë zbuluar se arti ka efekte pozitive të përgjithshme për shëndetin mendor dhe fizik në të gjitha fazat e jetës. Shprehja krijuese ndihmon në mirëmbajtjen e sistemit tonë imunitar dhe klinikisht është provuar që arti mund të ulë stresin dhe presionin e gjakut.

Jo pa qëllim institucionet shëndetësore si spitalet, klinikat, qëndrat e rehabilitimit kanë filluar të ndërthurin mjekimin spitalor me terapi arti, apo edhe vetë dizajni i ambjenteve të brendshme dhe të jashtme janë të drejtuar drejt estetikës dhe përdorimit të artit si mjet ndihmues. Përdorimi i artit në ato mjedise përmirësojnë shërbimin shëndetësor ndaj pacientit. Njëkohësisht, hulumtimet tregojnë se pacientët të cilët janë të ekspozuar ndaj artit gjatë qëndrimit në spital shërohen më shpejt dhe kanë një përvojë të përgjithshme më të mirë.

Një nga përfitimet ndaj arteve është përmirësimi i gjendjes mendore dhe emocionale. Angazhimi me aktivitete si piktura, vizatimi, punë dore, punimi i sendeve me baltë apo argjilë, ndihmojnë personat të kontrollojnë më mirë traumat e tyre. Kjo pasi nëpërmjet kësaj mënyre ata shprehin përvojat e vështira të jetës që përjetojnë shumë më lehtë se sa me fjalë.  Po ashtu vëzhgime të shumta kanë demonstruar se njerëzit me problem psikike dhe sëmundje të tjera progresive neurologjike, aftësia për të krijuar art është shumë më e zhvilluar se ajo e të folurit. Krijimi i artit pamor mund të zvogëlojë stresin dhe të nxisë relaksimin tek njerëzit që janë të shtruar në spital ose të lidhur për shkak të sëmundjes. Sapo pacientët të angazhohen me praktikimin e arteve si vizatimi në Ipad, apo në letër, apo shkrimi ekspresiv ndjejnë se janë duke u argëtuar dhe koha kalon më shpejt.

Arti i muzikës është po ashtu një celës mjaft i dobishëm në zhvillimin mendor të individit. Hulumtimet pohojnë se personat të cilët praktikojnë ndonjë vegël muzikore apo kanë patur trajnim muzikor, kanë një përmirësim të dukshëm në komunikimin dhe lidhjen midis hemisferave të trurit të tyre.  Në fushën e muzikës përfshihet dhe terapia muzikore, një metodë e cila përdoret dhe në institucionet shëndetësore. Nëpërmjet muzikës individi ka mundësi të rrisë sistemin imunitar dhe të rregullojë humorin apo proceset hormonale.

Aktrimi dhe teatri janë një tjetër praktikë krijuese e cila përmirëson mirëqënien. Sidomos njerëzit në moshë, pasi angazhohen me shfaqje teatrale është kuptuar se mirëqënie e tyre psikologjike ishte përmirësuar pas 4 javësh. Gjithashtu nëpërmjet këtij angazhimi përmirësojnë aftësi të tjera si; njohjeje më të mprehtë, arrijnë të jenë dëgjues më të mirë dhe më shumë kreativ në zgjidhjen e problemeve.

Kërcimi apo vallëzimi është një tjetër metodë e cila përdoret për të përmirësuar jetën tonë. Kërkimet e fundit kanë treguar se programet Zumba mund të përmirësojnë presionin e gjakut dhe nivelet e triglicerideve, ndërsa studimet e mëparshme lidhnin vallëzimin aerobik me menaxhim më të mirë të peshës.

Ndaj, krijimi i një hapësire gjatë ditës për tju përkushtuar angazhimit me art duhet të kthehet në rutinë të përditshme për cdo kënd ashtu sikurse ka në planifikimin ditor ecjen apo ushqyerjen e shëndetshme. Kushdo që ndihet i mbingarkuar ose i lodhur nga tensionet që kalon në jetë,  duhet të provojë terapinë e artit. Angazhimi me artin do t’ju ndihmohmojë  të ngadalësoni dhe të eksploroni çdo çështje që mund të keni. Do ju ndihmojë të  përmirësoni shëndetin mendor sidomos nëse vuani nga ankthi, çrregullime të vëmendjes, pikëllimi dhe humbje personash/apo dickaje të dashur, depresioni, çrregullime të ngrënies, sëmundje fizike, trauma, çështje marrëdhëniesh dhe shumë më tepër.

Disa metoda të cilat të ndihmojnë në këtë rrugëtim mund të jenë vizatimi përmes vijave dhe abstraksionit të cilat do i sjellim në javën në vazhdim.


Brunilda BASHA


https://muslimania.al/fuqia-sheruese-e-artit/

Comments