Ark. Brunilda Basha
·
GJEOMETRIA:
Gjeometria
dhe proporcioni ishte karakteristikë e dukshme e arteve Islame. Ata janë përdorur që në fillimet e
tij për të krijuar forma unike gjeometrike dhe kanë shërbyer si strukturë
themelore e procesit të dizajnit Islam. Hasan Fathy thotë se shkenca e gjeometrisë së “shenjtë” ka si
synim krijimin e një hapësire në harmoni të plotë fizike/ mjedisore që pasqyron konceptin Hyjnor të
harmonisë së njerëzimit dhe është një mjet për të shfaqur mënyrën e jetesës
sipas besimit Hyjnor, perceptimin e botës
dhe mendimin racional të jetës. Vlen të
theksohet fakti se aplikimi i gjeometrisë në artin islam ishte një zgjedhje e
përkryer, duke patur parasysh se në Islam pikturimi e figurave jetësore,
kafshëve, njërëzve apo dhe skulpturat e qënieve të gjalla janë të ndaluara,
ndaj luajtja dhe manipulimi i figurave
gjeometrike në proporcionet e duhura duke krijuar mozaike aq abstrakte
dhe të pafundtë ishte risi dhe kreative. Aplikimi i tyre zinte vend në fasadën
e jashtme, në hapësirat e brendshme, në mashrabiyyat, në dritare, zbukurim
tavani dhe muri, në shtrimin e dyshemesë, në veshjen e minareve, në portat
hyrëse, (iuanet) si dhe në arredimin e brendshëm të mobiljeve; qoftë rafteve,
apo minberit. Proporcionet e aplikuara
në formimin e formave gjeometrikë në vetvete kishte vetëdijen e projektuesve
dhe ndërtueve mbi ligjet hapësinore dhe raportet e tyre, duke krijuar
mjeshtërisht vlera estetike. Por përtej kënaqësisë së syrit dhe të bukurës,
format gjeometrike të ftojnë në të kuptuarit të lidhjes “univers-njeri-natyrë.
A nuk gjenden format gjeometrike në natyrë, tek njeriu, tek universi? Nëse
shohim përreth do shohim se cdo qelizë e egzistencës është ndërtuar mbi
kalkulimet aritmetike apo modeleve gjeometrike, qoftë kjo; molekulat, atomet,
qelizat, njeriu, natyra, hojëzat e
mjaltit, kristalet e dëborës të cilat
ndonëse vijnë në forma dhe madhësi të ndryshme gjashtëkëndëshi është
mbizotërues, trungjet e pemëve përbëhen nga unaza në formë rrethi të përkryer,
apo forma rrumbullake e hënës në ditën e 15-të të muajit, apo vetë kozmosi. Harmonia
matematikore e universit dhe proporcioni
mesatar i artë mund të shihet edhe në proporcionet e planetëve në sistemin tonë
diellor.
”Artistët
musliman kishin për qëllim që me stilizimin dhe krijimin e paternit (modelit)
të pafundtë, të ngacmojnë skajet e mendjes njerëzore. Kështu përdoruesi i një hapësire të caktuar
nuk është thjesht një vëzhgues i thjeshtë i disa formave, por ai noton nëpër
lidhjen e fortë të tij me kozmosin dhe natyrën, duke lejuar mendjen të udhëtojë
në pafundësi dhe të këtë mundësi të meditojë mbi madhështinë e Krijuesit.
Dome
of Rock-Jeruzalem-bazuar mbi plan 8 kendesh. (hexagon) Xhamia e Ibn Tulun–Kajro
·
KALIGRAFIA
Kaligrafia konsiderohet si një nga elementet më të rëndësishme dhe thelbësore të arteve islamike. Pothuajse të gjitha ndërtesat kanë një lloj mbishkrimi në sipërfaqe në gur, llaç, mermer, mozaik ose pikturë. Nga Spanja në Kinë, arkitektura dhe kaligrafia islamike janë të ndërthurura në mënyrë të pashmangshme. Xhamitë, teqet, mauzoleumet, bibliotekat, madje edhe banjot apo vendet e tregut mbajnë kryevepra të kaligrafisë. Është një element I cili ka qenë present si në kohët e hershme po ashtu edhe sot në kohët moderne. Nëpërmjet Kaligrafisë përpiqej qe arti të ndërthurte sëbashku kuptimin shpirtëror dhe bukurinë estetike. Pra nëpërmjet fjalës dhe shkronjave përcohej një mesazh, njëkohësisht ajo fjalë ishte përdurur nga artisti si mjet dhe element zbukurues i fasadës ku është aplikuar. Mbishkrimi mund të jetë një varg nga Kurani, rreshta poezie, ose emra dhe data. Në shumë raste ajo qëndron e vetme, në raste tjera bëhet pjesë e një tërësie kompozimi me floralet në relieve të ndryshme. “Shenjtëria” e saj qendronte në faktin se më së pari ajo ishte gjuha e Kuranit. Përgjatë gjithë shekujve kaligrafia evoloi dhe u shfaq në stile e forma të ndryshme si ajo e Kufit, Thuluth, apo Divanit zhvilluar në kohën Osmane, apo Kaligrafia pati një sukses jo vetëm në botën arabe por edhe më gjerë. Për shkak të elegances dhe vlerave estetike në fillim të shekullit të 14-të, disa piktura italiane paraqesin një skenar delikat, të rrjedhshëm që në shikim të parë duket se është arabisht.
Minare Qutub ne Delhi(kulla e
fitores)
·
MUKARNAS
Muqarnas është një dekorim tre-dimensional i arkitekturës islame. Kupola në Muqarnas është një krijim tërësisht islamik pa precedent në asnjë civilizim tjetër. Qemerët e Muqarnas ishin ndër tiparet karakteristike të arkitekturës mesjetare islamike nga Irani në Spanjë. Muqarnas përdorej dhe përdoret akoma në kube, kamare dhe harqe. Në secilin rast, moduli dhe thellësia e përbërjes së mukarnasit është e ndryshme dhe përshtatet me madhësinë e zonës ku do të aplikohet ose me qëllimin e kërkuar. Në tavane përdoret pastërtisht për arsye arkitektonike, ose në rastin më të pakët krijon një iluzion lëvizës I cili arrit kulmin në një kupolë më të vogël. Mukarnas është në të njëjtën kohë sistem linear dhe një organizim masor. Është një trajtim tavani si struktura e shkallëve deri sa arrin në planin e sheshtë. Cdo faqe kryqëzohet me tjetrën ose dke krijuar një kënd të drejtë ose në 45 gradë ose shuma e tyre ose kombinim i të dyjave. Dy faqet sëbashku me catinë e tyre krijojnë një qelize. Qelizat ngjitur, të cilat kanë bazat e tyre në të njëjtën sipërfaqe paralele me horizontin, quhen një shtresë. Masa e bazës së faqes më të madhe quhet modul i Muqarnas.
Xhamia
e Saint Petersburg - Rusi
·
ARABESQUE-ET
Arabeskët gjithashtu është një
formë e njohur dekorative në artin islamik, që përdoret për të dekoruar muret
apo dritaret e xhamive dhe ndërtesave si shtëpia. Arabesku është një aplikim
fin i formave gjeometrike të përsëritura që shpesh pasqyrojnë format e bimëve,
formave dhe nganjëherë kafshëve (posaçërisht zogjve). Zgjedhja se cilat forma
gjeometrike do të përdoren dhe si do të formatohen bazohet në pikëpamjen
islamike rreth botës.
Dobree shprehet se “Arabesk përpiqet që të mos përqendrojë vëmendjen mbi ndonjë objekt të caktuar, të gjallërojë dhe shpejtojë aftësitë vlerësuese, por t'i shpërndajë ato. Është centrifugale dhe çon në një lloj abstraksioni, madje një lloj vetë-hipnotizimi, kështu që adhuruesi i gjunjëzuar drejt Mekës mund të shastis veten në labirintin e modelit të rregullt që i del përpara dhe ta clirojë mendjen nga çdo lidhje me trupin apo gjërat tokësore”. Ekzistojnë dy lloje arabesh që gjenden në artin islamik: 1. Arabesk me ndërthurje rigoroze gjeometrike (modelet gjeometrike) dhe 2. Forma të stilizuara të bimëve (modele vegjetale)
·
FLORALET
Motivet
bimore ose lulet kanë qenë prej kohësh ndër themelet e dekorimit islamik.
Dekorimet me lule janë stilizuar aq shumë aq sa humbet ngjashmërinë me natyrën
duke iu bindur vetëm ligjeve të ritmit. Është vërtet një shprehje grafike e
ritmit dhe harmonisë, një linjë valëzuese dhe cdo sipërfaqe ka homologun e saj
të kundërt. Burckhardt (1967) shprehet se Arabesque është në të njëjtën kohë
logjike dhe ritmike, matematikore dhe melodioze, dhe kjo është më domethënëse
për frymën e Islamit në ekuilibrin e saj të dashurisë dhe maturisë
intelektuale.
Nga ana tjetër, sfondi i zbukurimit
primar me lule siguron hapësirën për përfshirjen e mëtejshme të dekorimeve
dytësore me lule më të vogël, me stil gati identik. Në këtë lloj zbukurimi,
motivet e gjetheve dhe luleve janë të kombinuara me degë, por nuk është e
qartë. Bima aktuale u përdor për ta formuar atë në një mënyrë që dallohej stilistikisht
me modelin e luleve me shumë nivele.
Arkitekti Le Corbusier ka thenë:
"Arkitektura është loja mësimore, e saktë dhe madhështore, e formave të
mbledhura në dritë". Drita është simboli i unitetit hyjnor. Sipas Kuranit,
një nga krijimet e Zotit është drita dhe ajo përfaqëson hyjnoren ndaj drita
natyrore është një element integral i dizajnit në arkitekturën Islame. Në
arkitekturë ajo funksionon në mënyrë dekorative duke modifikuar elementë të
tjerë ose duke formuar modele. Me dritën e duhur, fasadat e shpuara mund të
duken si ekrane me dantella, pa trup. Drita mund të shtojë një cilësi dinamike
në arkitekturë, duke shtrirë modelet, format dhe modelet në dimensionet e
kohës. Kombinimi i dritës dhe hijes krijon kontraste të forta të rrafsheve dhe
i jep strukturë sipërfaqeve dhe materialeve të ndryshme. Në arkitekturën Islame
Drita nuk ka vetëm funksion dekorativ, përkundrazi ajo shpreh filozofine e
besimit Islam. Kur'ani identifikon shpalljet hyjnore me “nur” dritë që i ndihmon njerëzit të ecin dhe të qëndrojnë në rrugën
e duhur. Prandaj, detyra kryesore e profetëve ishte t'i udhëzonin njerëzit nga
errësira në dritë. (Al-Maidah 5:15, 5:44). Termi “nur” në Kur'an përdoret për
të shprehur vizionin fizik, moral dhe shpirtëror. Jo më kot, drita luan një rol të rëndësishëm
në formësimin e ambienteve të brendshme të xhamive por edhe ndërtesave të tjera
të cilat synojnë ta ndricojnë ambjentin dhe të largojnë errësirën. Kupolat
madhështore, dritaret dhe ekranet e gdhendura me delikatesë rindërtojnë dritën
në mënyra të reja që jo vetëm zbukurojnë sipërfaqet, por shtrijnë linjat
strukturore dhe ndriçojnë pjesë specifike të fasadës së brendshme.
·
UJI
Kur'ani pohon se të gjitha
gjallesat janë bërë nga uji, duke nënvizuar rëndësinë e elementit për jetën
Islame. Uji luan një rol integral në arkitekturën islamike në të gjithë Lindjen
e Mesme dhe më gjerë. Është sa simbolike, (duke përfaqësuar pastërtinë dhe
jetën), aq dhe praktike, e përdorur për pastrimin e trupit dhe freskimin e
ajrit. Efekti dekorativ i ujit është gjithashtu thelbësor në arkitekturën
islamike, e cila thekson modele të pasura dhe të ndërlikuara. Prania e ujit në
cdo pjesë të dizajnit e bën atë një pjesë të rëndësishme për jetën e individit.
Ai shkaton qetësi në pjesën e brendshme të zemrës njerëzore, krijon ndjesinë e
ndryshimit dhe gjallërisë duke qenë se është në lëvizje gjithmonë. Në kopshte
uji formon qendrën simbolike në bazën e dizanjit. Në terma të dizajnit, ai jep
një sens të drejtimit, shtigjet dhe gurët e shkelur nga funksioni i tyre
sugjerojnë gjithashtu drejtim. Brenda kopshtit, pamjet drejtohen jo vetëm nga
pika e hyrjes, por në drejtime specifike duke ndjekur boshtet e përcaktuara nga
kanalet e ujit. Uji u përdor gjithashtu në mënyrë krijuese për të simbolizuar qetësinë,
thellësinë dhe freskinë. Për ta reflektuar këtë në formë fizike, u krijuan
pishina, rezervuarë dhe kanale.
Uji është elementi i domosdoshëm në
simbolizimin e kopshteve tradicionale islamike. Përgjatë historisë, maurët dhe persët u përpoqën pandërprerë të imitonin Parajsën në
zhvillimin e projektimit të kopshtit të pallateve duke ndërtuar veçori elegante
të ujit, pishina dhe burime në misionin e imitimit të Parajsës Kur'anore në
tokë. Shumica e elementeve ndërthuren në hartimin e parqeve mahnitëse, duke
shkrirë kështu ujin dhe madhështinë e mjedisit natyror i cili do ta mbushte
shpirtin me besim dhe lumturi.
·
FIGURAT
Islami është i ndjeshën ndaj
figurave dhe skultpurave të njeriut apo kafshëve, ndaj si rezultat i kësaj
ndjenje fetare, figurat në pikturë shpesh stilizoheshin dhe silleshin në forma
abstrakte. Për këtë arsye nuk kemi një
dekorim masiv apo shumë të aplikuar të figurave. Megjithatë, ashtu si me format
e tjera të zbukurimeve islamike, artistët musliman përshtatën dhe stilizuan
lirisht format themelore njerëzore dhe shtazore, duke dhënë një larmi të madhe
të dizenjove me bazë figurale. Motive figurative gjenden në dekorimin e
sipërfaqeve të objekteve ose fasadës arkitekture, si pjesë e modeleve të endura
ose të aplikuara të tekstileve, dhe, më rrallë, në formë skulpturore. Në disa
raste, imazhet dekorative janë të lidhura ngushtë me traditën e pikturës
narrative, ku ilustrimet e tekstit siguruan burime për tema dhe motive
zbukuruese. Ekzistonte gjithashtu një kategori e mëtejshme e figurave, nga të
cilat u gjeneruan modelet zbukuruese. Disa motivetë tilla si harpitë (zogj me
kokë femra) dhe griffins (felinat me krahë), u morën nga burimet mitologjike
paraislame, ndërsa të tjerët u krijuan përmes manipulimit vizual të formave
figurative. Sa për ilustrimin e dorëshkrimit, pikturat në miniaturë ishin pjesë
integrale e këtyre veprave të artit si mjete vizuale për tekstin, prandaj nuk u
vendosën kufizime.
Bibliografi:
·
Burckhardt,Titus,
2009, “Art of Islam, Language and Meaning”, Commemorative Edition, World Wisdom
·
Dalu
Jones, 1978 , “The elements
of decoration : surface, pattern and light”, Thames and Hudson Ltd, London
·
Etikan
Sema (2011), “The Principles of Ornament in Islamic art and effects of these
Principles on the Turkich Carpet Art”, Religion and Science Publications, Vol.
3(2), PP. 87-95.
·
Hillenbrand,
Robert, 1998, “Islamic art and architecture”, London: Thames and Hudson
·
Jeanan
Shafiq, 2014, “Architectural Elements in Islamic Ornamentation: Neë Vision in Contemporary
Islamic Art,” Arts and Design Studies, Vol. 21
·
Oleg
Grabar, (1973), “The Formation of Islamic Art”, Yale University Press
·
Valérie
Gonzalez, 2001, “Beauty and Islam. Aesthetics in Islamic Art and
Architecture.”, I.B.Tauris Publishers, London
Comments
Post a Comment