Nga Brunilda BASHA: Ca sqarime davaritëse mbi Shën Sofinë e rikthyer në xhami



Ark. Brunilda Basha

Të gjendur midis shumë komenteve, lajmeve, dhe reagimeve të ndryshme mbi vendimin e fundit të qeverisë turke që të hapë dyert e xhamisë së Shën Sofisë për faljen e namazit, është e nevojshme të paraqiten disa shpjegime dhe aspekte të saj, pak të njohura për publikun jo turk.

Së pari, dua të sqaroj diçka në lidhje me titujt bombastikë mbi këtë lajm, të tipit: “Aya Sofia kthehet/konvertohet në xhami; Bota kundër vendimit të Turqisë.”

Shën Sofia, pavarësisht vendimit të marrë më 24.11.1934 për t’u kthyer në muze, ishte dhe është xhami. Për 5 shekuj me radhë e deri sot, ka brenda saj mihrabin dhe minberin, mban 4 minare prej të cilave është thirrur ezani me vargun suprem – “Zoti është më i Madhi”.

I vetmi element që ju hoq kësaj xhamie është “falja e namazit”; ai dhe me i rëndësishmi. Dua të rikujtoj se mbyllja e dyerve te saj si kult u bë për arsye politike, thelbësisht anti-fetare (anti-islame në këtë rast), anti-ligjore po ashtu, dhe që nga ajo datë e deri në ditët tona përpjekje të shumta janë ndërmarrë nga qeveritë turke të ndërruara ndër vite për ta zhbërë vendimin e devijimit në muze. Pra, për popullin turk që e njeh historinë e tij politike, nuk është diçka e papritur ky lajm. I papritur është për ne që jetojmë larg realitet turk dhe sidomos për ata që e mësojnë historinë nga titujt e gazetave. I vetmi ndryshim i vendimit të këtyre ditëve me 85 vite përpjekje është se sot, me këtë qeveri, u konkretizua përpjekja e vazhdueshme ligjërisht, për rikthimin e Shën Sofisë në xhami, ashtu siç janë rikthyer mbrapsht shumë ndalesa të tjera, të diktuara gjatë qeverisjeve të mëparshme, ku laicizmi ishte në fakt goditje e drejtpëdrejtë e fesë. Pra, nuk është Erdogani por Gjykata e Lartë që vendosi të shqyrtojë legjimitetin e mëparshëm, të kthimit të saj në muze, duke e gjykuar si jo ligjor.

Së dyti; jam shumë e ndjeshme ndaj shqetësimit të personave jo fetarë apo dhe te feve tjera mbi vlerat e saj arkitektonike, nëse frika e tyre konsiston te shuarja e gjurmëve historike mbi të. Në fakt, vlerat e artit, të çfarëdo feje qofshin janë të shtrenjta edhe për muslimanët, sidomos kur ato lidhen me fetë abrahamike.

Feja Islame, historikisht, që në pikënisjen e saj ka ecur paralelisht me të bukurën e artit të poezisë, arkitekturës, pikturës e shumë fushave të tjera të estetikës. Për shkak të rëndësisë që feja Islame i jep respektimit të feve hyjnore dhe kujdesit ndaj njerëzimit, ikonat, afreskot dhe vizatimet e ish-Katedrales së Shën Sofisë nuk u prishën, nuk u zhdukën por u mbuluan, madje u riparuan dhe u restauruan. Osmanët që e morrën atë në zotërim e menaxhim, as nuk e shkatërruan e as nuk e dogjën, siç mund të ketë ndodhur në raste të tjera pushtimesh. Përgjatë 6 shekujve, sulltanët me radhë sillnin restaurues dhe arkitektë edhe nga vetë Europa.

Dy nga ndërhyrjet më kryesore ndaj saj shënohen ajo e arkitektit Sinan në shekullin 16, i cili përforcoi strukturën bazë (pasiqë muret mbajtëse ishin dobësuar ndjeshëm). Ndërsa ndërhyrja e dytë  e rëndësishme është në vitet 1846-1848 nga vëllezërit Fossati (arkitektë zvicerianë të diplomuar në Itali), të cilët restauruan pjesën e brendshme të xhamisë, dhe dokumentuan me qindra detaje të arkitekturës së krishterë (të ruajtuara sot e kësaj dite në arkivat zviceriane). Madje ndër profesionistë ka mendime se qasja e tyre ishte më tepër ndaj stilit bizantin sesa atij musliman.

Sipas H. Mathews (2004), nëse ndërhyrjet dhe kujdesi i vazhdueshëm i Perandorisë Osmane nuk do ishin bërë ndaj Shën Sofisë si xhami, ajo ngrehinë sot as nuk do të egzistonte. Kjo dëshmon se në asnjë moment të historisë  nuk është synuar prishja e trashëgimisë arkitekturore fetare e saj, duke ruajtur kështu vlerat e shpirtërore që mbart. E njëjta gjë do të vazhdojë të ruhet edhe pas këtij vendimi. Arkitektët dhe historianët kanë propozuar teknika të ndryshme, duke u bazuar në teknologjinë e zhvilluar të ditëve të sotme, se si do veprohet me ikonat, në mënyrë që të mos mbulohen por edhe të respektohen normat e një objekti fetar islam. Diçka zyrtare dhe përfundimtare nuk ka akoma, ama e deklaruar është se ajo xhami do jetë e hapur për të gjithë njerëzit, të çdo besimi qofshin, për ta vizituar atë si çdo xhami tjetër, dhe ndryshe nga sot hyrja do jetë falas.

Fundja, a nuk vizitojmë edhe muslimanët ish-xhaminë e Kordobës, sot kishë? A i është zbehur madhështia e arkitekturës islame  pse u konvertua nga xhami në kishë pas pushtimit të kryqëzatave?! A janë mbyllur dyert e saj për vizitorët muslimanë? Paralelisht me këtë shembull, as arkitektura e Shën Sofisë, e ruajtur me fanatizëm nga shekulli 14të e deri më sot, nuk do të fshihet e prishet.

Së treti, mbi fenomenin e konvertimeve të objekteve të kultit. Duhet te jemi koshientë dhe të dimë se kthimi i kishave apo xhamive kryesore në xhami apo kishë, është një traditë historike, e aplikuar nga çdo fuqi e ardhur në pushtet.  Është një traditë e aplikuar në Europë, Azi, Lindje dhe kudo. Kjo nuk lidhet me shkeljen e vlerave sekulariste (siç pretendojnë disa sot duke akuzuar Turqinë). Çfarë është vlera sekulariste në fund të fundit?! A lejohet konvertimi i objekteve?! Mendoj se kur nevojat e kërkojnë dhe njerëzit nuk janë kundra atij vendimi, pse jo? A nuk kemi sot në Europë kisha të braktisura e të pafrekuentuara, të cilat janë adaptuar si shkolla apo kopshte?! A nuk kemi ish-tempuj budistë e hindu në Azi të kthyera në kisha pas pushtimit francez? Askush nuk diskuton për to. Po a nuk kemi shembuj xhamish të cilat janë konvertuar po ashtu në kisha? Mos të largohemi gjeografikisht shumë larg, ku mjafton të shohim Ballkanin. Hungaria e Bullgaria, me rënien e Perandorisë Osmane, ndonëse me popullsi me prezencëtë konsiderueshme muslimane, disa xhami i konvertuan në kisha. Por edhe vetë disa nga kishat kryesore para Perandorisë Osmane u ngritën mbi tempujt grekë apo romakë.

Madje madje, dhe vetë Shën Sofia është atakuar nga kryqëzatat latine në fillim shekulli 13. Megjithatë, të gjitha këto raste kërkojnë një shtjellim të gjerë historik, politik dhe social dhe është e pamundur në këtë shkrim. Ajo që dëshiroj të prek në këtë pikë të tretë është se Greqia e cila ka mbyllur edhe një xhami të vetme që egzistonte në atë shtet, ka lënë të shkatërruara të tjerat pasi nuk lejon restaurimin e tyre. Kalojë te Serbia, një vend që siç ka masakruar njerëz, kryesisht muslimanë, u ka shkatërruar atyre dhe objektet e kultit. Po të qëndrojmë te konvertimi. A justifikon konvertimi i tempujve, kishave dhe xhamive përgjatë historisë aplikimin e konvertimit të kulteve edhe sot? Jo! Jam kundra çdo konvertimi i cili bëhet për të ndaluar një fe të caktuar apo për të margjinalizuar besimtarët e çdo besimi fetar. Përmendja e fakteve të mësipërme ka për qëllim informimin, sidomos për ata që habiten mbi konvertimet/ndërrim funksioni të ndërtesave.

Vlen të ripërsëritet së fundmi, se kauza e Shën Sofisë sot nuk lidhet me konvertimin nga kishë në xhami. Ka të bëjë me zhbërjen/rrëzimin e një vendimi qeveritar, i cili padrejtësisht, para 85 vitesh mbylli një xhami, duke e shnndërruar atë në muze. Sot, me rikthimin e Shën Sofisë nga muze në xhami, thjesht është rivendosur drejtësia mbi këtë objekt kulti. /tesheshi.com/

Comments