Ark. Brunilda Basha
Dizajni biofilik synon të inkurajojë njeriun bashkëkohor dhe mjedisin e
ndërtuar të ndërveprojë sa më shumë me natyrën. Sa më shumë komponentë natyral të
përdoren në dizajn, qofshin në shkallë urbane apo arkitekturore, aq më shumë
ndjejmë praninë e natyrës në jetën tonë. Nëse i referohemi historisë
arkitekturore, dy shembuj të suksesshëm që mund të quheshin plotësisht biofilik
janë Alhambra në Granada dhe kopshtet mahnitëse të Babilonisë.
Tek njerëzit produktiviteti ose mirëqenia e tyre përcaktohet kryesisht
nga ndërveprimet e ndryshme brenda një konteksti gjeografik. Si rezultat,
dizajni biofilik krijon lidhje midis njerëzve dhe mjedisit të tyre, forcon
emocionet e marrëdhënieve dhe ndjenjën e përkatësisë në një komunitet të
rëndësishëm.
Si të integrojmë dizajnin biofilik në projektet tona? Fillimisht dhe mbi të gjitha, identifikoni cilët elementë ose sende natyrore ju shkaktojnë një ndjesi të mirë, ju qetësojnë psikologjikisht dhe ju relaksojnë kur jeni pranë tyre. Një pjesë e njerëzve ndihen të tërhequr nga natyra; si malet apo kopshtet, ndërsa të tjerë preferojnë harmoninë e ujit dhe shpesh ndjehen të qetë duke ecur në bregun e detit. Para se të fillojë çdo projekt dekorimi, është e rëndësishme të njiheni me veten dhe me ato elemente që ju shkaktojnë një ndjesi të rehatshme.
Një rrugë e shkëlqyeshme
për të përfshirë dizajnin biofilik është integrimi i ngjyrave qetësuese përmes
floras dhe bimësisë. Kur shtojmë bimë në shtëpinë tonë, do të vërejmë se ato jo
vetëm pastrojnë ajrin dhe e freskojnë ambientin, por gjithashtu kanë një ndikim
pozitiv në humorin dhe nivelet e energjisë gjatë gjithë ditës. Kjo ndihmon në
krijimin e një atmosfere të qetë dhe të relaksuar në hapësirën e ambjentit.
Bimët mund të vendosen në vazo, të varura nga tavani, të lidhura në mur, ose kudo
tjetër sipas preferencave tona.
Përdorimi i ngjyrave natyrale
gjithashtu mund të ndihmojë në krijimin
e një atmosfere të natyrshme në shtëpi. Ngjyrat kanë një ndikim të rëndësishëm
në emocionet e njerëzve. Përdorimi i një ngjyre të gjallërishme mund të
shkaktojë entuziazëm në monotoninë e nje dite rutinë, ndërsa përdorimi i
tonaliteteve të saj mund të ndihmojë të krijojë një ndjesi qetësie pas një dite
të gjatë dhe të lodhshme. Pëfshirja e ngjyrave në shtëpi mund të arrihet duke
lyer një mur, duke e përdorur në mobilje, ose duke aplikuar letër murale. Letra
murale mund të jetë e kompozuar me elemente natyrore për të krijuar përshtypjen
se jeni jashtë ndërsa jeni brenda shtëpisë.
Uji ka një ndikim
qetësues në mendjet tona dhe mund të përmirësojë qetësinë tonë. Qëndrimi në
banjë ose pishinë është një mënyrë e mirë për të relaksuar trupin kur jemi
lodhur.Pprania e ujit dhe tingujt e tij mund të krijojnë një zonë shëruese
brenda shtëpisë. Nëse kemi mjaft hapësirë, mund të ndërtojmë një lumë në oborr,
por nëse nuk kemi mjaft, mund të kemi një akvarium brenda dhomës ose vazo me
ujë të rrjedhshëm. Kështu, jo vetëm që krijohet një mjedis i shëndetshëm, por
shtohet edhe vlera estetike e pamjes së dhomës.
Drita është një tjetër
mënyrë për të integruar natyrën në shtëpinë tonë. Sa më shumë dritë natyrore të
kemi, aq më shumë ndjehemi të lidhur me natyrën. Drita ndikon në ritmet tona të
përditshme, rrit vitalitetin dhe na siguron energjinë për të qenë më aktivë. Po
ashtu, shumë studime kanë treguar se drita natyrore ndikon në humorin dhe
nivelin e lumturisë. Ajo përmirëson natyrshëm mirëqenien fizike dhe emocionale
të personit.
Përdorimi i materialeve
natyrore, si druri, guri, dhe bambu në dizajnin e shtëpisë dhe mobiljeve,
përmban një aspekt kyç të Dizajnit Biofilik. Këto materiale jo vetëm janë të
qëndrueshme, por ndihmojnë edhe në zvogëlimin e kimikateve potencialisht të
dëmshme në mjedisin e brendshëm. Nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, krijohet një
ambient I shëndetshëm dhe i lumtur, duke lidhur njeriun me natyrën dhe ndikuar
pozitivisht në humorin dhe mirëqenien e përgjithshme.
Comments
Post a Comment